Gjyqi për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd në Mineapolis, SHBA, përfundoi me një vendim dënimi për ish-oficerin e policisë, Derek Chauvin: ishte ai që shkaktoi vdekjen e 45-vjeçarit gjatë arrestimit të tij, duke mbajtur gjurin e tij të shtypur në qafë për më shumë se nëntë minuta.
Juria me gjashtë anëtarë të bardhë dhe gjashtë anëtarë me ngjyrë, e mori vendimin të martën pasi diskutoi rreth 10 orë gjatë dy ditëve në një qytet në ankth se mund të kishte një shpërthim tjetër trazirash.
Para gjykatës, një turmë prej disa qindra njerëzish shpërtheu në brohoritje kur u shpall vendimi.
Skena u kthye shpejt festive me makina që u binin borive dhe demonstruesit që bllokuan trafikun dhe brohorisnin “George Floyd”.
Chauvin u largua nga salla e gjyqit në pranga dhe do të qëndrojë në paraburgim në pritje të përcaktimit të dënimit me burg.
Sa vite burg rrezikon ish-polici
Megjithëse sistemi i drejtësisë penale dhe juritë në Shtetet e Bashkuara prej kohësh kanë qenë tolerantë dhe u kanë dhënë disa mbrojtje ligjore oficerëve të policisë që përdorin dhunë ndaj civilëve, juria në Mineapolis arriti në përfundimin se Chauvin e kishte kaluar kufirin dhe kishte përdorur forcë të tepruar.
Chauvin u shpall fajtor për tre akuza: vrasje e shkallës së dytë, vrasje e shkallës së tretë dhe vrasje pa dashje.
Garancia e tij u revokua menjëherë dhe u vendos në paraburgim. Dënimi ka të ngjarë të merret brenda dy muajsh dhe Chauvin mund të kalojë dekada në burg.
Në Minesota, vrasja e shkallës së dytë mbart një dënim maksimal prej 40 vitesh burgim. Vrasja e shkallës së tretë dënohet deri në 25 vjet burg. Vrasja e shkallës së dytë dënohet me burgim deri në 10 vjet.
Reagimet, nga presidenti Biden te familjarët
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, telefonoi familjen e George Floyd pas vendimit që e shpalli fajtor ish-policin e Minesotës Derek Chauvin. “Ne jemi lehtësuar shumë. Asgjë nuk do t’i përmirësojë gjërat, por të paktën, tani ka një farë drejtësie”, – tha Biden.
“Unë do t’ju çoj në Shtëpinë e Bardhë në bordin e Air Force One”. “Ne kemi bërë një hap përpara kundër racizmit sistematik që është një njollë në shpirtin e vendit tonë”, – komentoi Biden, duke folur drejtpërdrejt në TV para kombit.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë e quajti vdekjen e George Floyd “një vrasje në dritën e ditës”.
Për presidentin amerikan, megjithatë, duhet të bëhet shumë më tepër, edhe nëse vendimi i sotëm mund të përfaqësojë “një ndryshim të rëndësishëm”. Biden më pas bëri thirrje për unitet dhe për të shmangur të gjitha llojet e dhunës.
Anëtarët e familjes së George Floyd, festuan për shpalljen fajtor të ish-policit Derek Chauvin.
Në një konferencë shtypi, vëllai Philonise, tha se po merrte mesazhe “nga e gjithë bota”. “Të gjithë thonë të njëjtën gjë: sot ne jemi në gjendje të marrim frymë përsëri”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)














Lini një Përgjigje