Ushtria amerikane kreu sulme ajrore kundër milicive të mbështetura nga Irani në zonën kufitare Irak-Siri. Sulmet u kryen në përgjigje të disa sulmeve me dron kundër personelit dhe objekteve amerikane në Irak.
Pentagoni tha përmes një deklarate se presidenti Joe Biden urdhëroi sulme ajrore “mbrojtëse” në objektet operacionale dhe të magazinimit të armëve, që përdoren nga milicitë, në dy lokacione në Siri dhe në një në Irak.
Sipas deklaratës, disa milici të mbështetura nga Irani, përfshirë Kata’ib Hezballah dhe Kata’ib Sayyid al-Shuhada, i kanë përdorur objektet.
“Presidenti Biden ka qenë i qartë kur ka thënë se do të veprojë për të mbrojtur personelin amerikan”.
“Marrë parasysh serinë e vazhdueshme të sulmeve nga grupet e mbështetura nga Irani, që kanë në shënjestër interesat e SHBA-së në Irak, presidenti urdhëroi veprime të mëtejshme ushtarake për t’i ndërprerë dhe parandaluar sulmet e tilla”, tha Pentagoni.
Ai nuk bëri të ditur nëse dikush u vra ose u plagos në sulme. Por, sipas agjencisë së lajmeve AFP, Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut – një grup monitorues me seli në Mbretërinë e Bashkuar – tha se pesë luftëtarë të milicive u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në Siri.
Sulmet ajrore u kryen pasi zyrtarët kurdë irakianë thanë më 26 qershor se katër dronë, të ngarkuar me eksplozivë, goditën lokacione jashtë kryeqytetit të rajonit gjysmë-autonom, Arbil. Për viktima nuk u raportua.
Në të njëjtën ditë, Hashed al-Shaabi – një aleancë paraushtarake që kundërshton praninë e SHBA-së në Irak – mbajti një paradë ushtarake pranë Bagdadit, ku morën pjesë zyrtarë të lartë irakianë, përfshirë kryeministrin Mustafa al-Kadhimi.
Grupi është një organizatë ombrellë e milicive kryesisht shiite, të mbështetura nga Irani, por që është lejuar nga shteti irakian dhe që është formuar në vitin 2014, fillimisht për të luftuar grupin ekstremist Shteti Islamik.
Sulmet ajrore amerikane ishin të dytat në rajon, të urdhëruara nga presidenti Biden.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje