Bota

SHBA/ Nancy Pelosi nuk dorëzohet, do të rikandidojë në moshën 82-vjeçare

Gazeta Si – Kur është ende e aftë të nxisë edhe më shumë diskutime dhe debate sesa Trump, pse të heqë dorë? Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi ka deklaruar synimin e saj për të kandiduar sërish në zgjedhjet afatmesme të nëntorit të ardhshëm.

Në Kongres prej 35 vitesh dhe me perspektivën për të lënë gjithsesi rolin e kryetares, duke qenë se demokratët pothuajse me siguri do të humbasin kontrollin e Dhomës, Pelosi, e cila do të shuajë 82 qirinj në mars, vjeshtën e kaluar nuk e kishte përjashtuar daljen e saj në pension.

Dje, megjithatë, ajo zhgënjeu pritshmëritë e së majtës radikale të partisë së saj, e cila mezi e përballon atë: Alexandria Ocasio-Cortez dhe të tjerët janë në pritje prej disa kohësh për të kryer një revolucion të vërtetë brezash në krye të partisë.

Kohët dukeshin të pjekura me 21 deputetë demokratë që kanë njoftuar tashmë largimin e tyre nga politika dhe 8 të tjerë që do të largohen nga Dhoma për të shkuar në poste të tjera (senator, guvernator apo kryetar bashkie).

Por janë pikërisht këto kohë të trazuara që e kanë shtyrë Pelosin – një luftëtare që, me sa duket, nuk mund ta imagjinojë veten jashtë mosmarrëveshjeve politike – të vendosë të vazhdojë betejën, edhe pa pozicione.

Dy liderët e tjerë të shumicës demokrate në Dhomë, ka të ngjarë të bëjnë të njëjtën gjë, Steny Hoyer (82 vjeç) dhe Whip James Clyburn (81), të cilët nuk kanë njoftuar ende tërheqjen e tyre.

Fakti i të pasurit të një grupi të tërë drejtues demokrat në Dhomë të përbërë nga mbi 80-vjeçarë, ka të paktën një avantazh: e bën presidentin amerikan Joe Biden (79 vjeç) të duket relativisht i ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë