Ne rrjet

SHBA: NATO do ta forcojë krahun lindor nëse Rusia e pushton Ukrainën

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, tha se çdo pushim i mëtejmë i Ukrainës nga Rusia do të pasohet nga forcimi i krahut lindor të NATO-s.

“Ne nuk do të ndalemi me masat ekonomike. Ne do të forcojmë më tej aleatët tanë të NATO-s në krahun lindor” në përgjigje të një pushtimi, tha Harris më 19 shkurt, teksa mori pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.

Këto komente të Harris vijnë një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se është i “bindur” se presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendimin që ta pushtojë Ukrainën.

Perëndimi thotë se Rusia ka grumbulluar mbi 150,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën dhe se Moska po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën, por Kremlini hedh poshtë këto pretendime, duke thënë se nuk ka plane të tilla.

Stoltenberg i bën thirrje Rusisë të ndalojë përgatitjet për luftë

Më herët gjatë të shtunës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Rusisë që të tërheqë trupat nga kufirin me Ukrainën dhe të punojë për zgjidhjen e krizës në mënyrë paqësore.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Stoltenberg tha se deri më tani nuk kanë parë sinjale që mbështesin pretendimet e Moskës se ka filluar tërheqjen e trupave pranë Ukrainës, por sipas tij, po ndodhë e kundërta.

“Ne i bëjmë thirrje Moskës që të bëjë atë që po thotë se po bën, të tërheqë trupat nga kufijtë e Ukrainës. Ky do të ishte një hap i parë i rëndësishëm drejt një zgjidhjeje paqësore. Nuk është vonë për Rusinë që ta ndryshojë kursin, të tërhiqet, të ndalojë përgatitjet për luftë dhe të fillojë që të punojë për një zgjidhje paqësore”, tha Stoltenberg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë