Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë kanë dalë me deklarata mbështetëse për ligjin anti-KÇK, të kaluar me akt normativ nga Qeveria.
Në deklaratën e shpërndarë përmes rrjeteve sociale, Ambasada Amerikane thotë se mirëpret të gjitha përpjekjet dhe mekanizmat që i vijnë në ndihmë reformës në drejtësi dhe institucioneve të reja të ngritura në kuadër të kësaj reforme.
“Ndërsa vazhdon zbatimi i reformave të rëndësishme të drejtësisë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga Qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor”, thotë Ambasada.
Por, përfaqësia diplomatike amerikane vendos theksin se këto përpjekje dhe mekanizma duhet të bazohen tek standardet e një procesi të drejtë ligjor.
“Mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar, edhe të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor”, vijon reagimi.
Deklarata mbyllet me zotimin e Ambasadës Amerikane për ta ndjekur me interes të theksuar zbatimin e ligjit anti-KÇK.
Përfaqësia e Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar me një deklaratë me doza në dukje më shumë optimiste se SHBA.
“Ndiq paratë” ka provuar se është një mënyrë shumë e efektshme për të luftuar konkretisht organizatat kriminale. Ligji special i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë, që prezanton masa të reja parandaluese për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, shkon në këtë drejtim dhe tregon vullnet politik për të trajtuar këtë problem”, thuhet në reagimin e BE.
Megjithatë, BE nënvizon rëndësinë që masat e reja të mos shkelin të drejtat themelore të njeriut dhe të jenë në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Me rëndësi, sipas BE është që të gjitha masat e reja të ndiqen përmes institucioneve të drejtësisë.
“Ne do të ndjekim nga afër zbatimin konkret të aktit normativ. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që masat e reja ligjore të zbatohen në respekt të plotë të të drejtave themelore të të akuzuarve dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Është gjithashtu e rëndësishme që këto masa të reja të ndiqen përmes institucioneve të krijuara nga reforma në drejtësi, në veçanti SPAK-un”, vijon deklarata e Delegacionit të BE në Tiranë.
Reagimi mbyllet me nxitjen e Qeverisë shqiptare që të shtojë përpjekjet për zbatimin e reformës dhe drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje