Bota

SHBA, shembet pallati 12-katësh në Majemi. Të paktën një i vdekur (Foto-Video)

Një ndërtesë banimi 12-katëshe u shemb pjesërisht brenda natës në Surfside, afër Majemit në SHBA. Të paktën një person ka humbur jetën, megjithëse numri i viktimave mund të jetë më i lartë me kalimin e orëve.

Nëntë njerëz, përfshirë një djalë, u nxorën të gjallë nga rrënojat. Kryetari i bashkisë së Surfside raportoi se shembja preku rreth 100 apartamente: “Ishte si një tërmet”, – tha ai. “Mbi 80 skuadra shpëtimi janë në vend”, njoftoi departamenti i zjarrfikësve.

Pallati ishte një pjesë e një ndërtese me 100 apartamente të vendosura në Collins Avenue në Surfside, në Oqeanin Atlantik, pjesë e kompleksit “Champlain Towers” i ndërtuar në vitin 1981. Se çfarë e shkaktoi shembjen dhe sa është numri i të plagosurve dhe viktimave, mbetet të sqarohet në vijim.

Megjithëse një zjarrfikës i pranishëm në vendngjarje, tha se dyshohet të ketë shumë viktima. “E gjithë pjesa e pasme e ndërtesës u shemb”, – tha rreshteri Marian Cruz i “Miami Dade Fire Rescue”. Grumbuj mbeturinash dhe rrënojash kanë rrethuar zonën ku u shemb pjesërisht godina e banimit.

Policia bllokoi rrugët pranë objektit dhe dhjetëra automjete zjarrfikëse dhe shpëtimi, ambulanca dhe makina policie u mblodhën në vendin e ngjarjes.

Shtypi amerikan raporton se ka apartamente të vjetra dhe të reja, shtëpi, bashkëpronësi dhe hotele në lagje, me restorante dhe dyqane që shërbejnë vendasit dhe turistët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë