Bota

SHBA shuan sherrin Bezos-Branson: Asnjëri prej jush nuk është astronaut

Miliarderët Richard Branson dhe Jeff Bezos debatojnë me njëri-tjetrin se cili prej tyre udhëtoi i pari në hapësirë, duke vënë në lojë kilometra e lartësisë së fluturimit. Por, mes “sherrit” se kush ishte sipërmarrësi i parë që pa Tokën nga përtej atmosferës, që të dy ata asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim ta quajnë veten “astronautë”.

Megjithatë, sipas rregullave të Administratës së Aviacionit Federal në SHBA, asnjëri prej tyre nuk meriton që të quhet astronaut. Rregullat thonë se që të fitohet ky “titull” personi në fjalë duhet të jetë pjesë e stafit të fluturimit dhe të ndihmojë në sigurinë e fluturimit. Bezos dhe Branson ishin thjesht pasagjerët miliarderë që shpenzuan një pjesë të pasurisë së tyre marramendëse për këto misione.

Rregullat e reja janë përditësuar në të njëjtën ditë që Jeff Bezos fluturoi për në hapësirë. Sipas tyre, për t’u kualifikuar si astronaut komercial duhet që kandidati të fluturojë 80 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, që si Bezos, ashtu edhe Branson e përmbushën.

Por, përveç lartësisë, agjencia thotë se aspiranti për astronaut duhet që gjatë fluturimit të demonstrojë aktivitetet që janë thelbësore në sigurinë e fluturimit dhe që të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme të fluturimeve hapësinore.

Më 11 korrik, Richard Branson fluturoi për në hapësirë me anijen e tij Virgin Galactic, edhe si test që do t’i hapë rrugën turizmit hapësinor duke filluar nga viti i ardhshëm. Bezos dhe tre anëtarë të tjerë të ekipit të tij fluturuan me Blue Origin dhjetë ditë më vonë. Që të dy, për momentin ligjërisht nuk quhen astronautë, por kanë një shpresë të fundit, pasi rregullorja i njeh të drejtë administratës amerikane që të japë këtë titull nderi si mirënjohje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë