Bota

SHBA: Turqia të heqë dorë nga S-400! Sanksionet shënjestrojnë Moskën, jo Ankaranë

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo ja ka përsëritur homologut të tij turk, Mevlut Cavusoglu se blerja nga ana e Turqisë e sistemeve mbrojtëse ruse, S-400 cenon sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të aleancës së NATO-s.

“Sekretari Pompeo i bëri të qartë ministrit Cavusoglu se blerja e sistemit S-400 kërcënon sigurinë e personelit dhe teknologjisë ushtarake amerikane dhe lë hapur derën e aksesit për Rusinë në industrinë mbrojtëse dhe forcat ushtarake turke”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Deklarata pasoi një telefonatë të zhvilluar mes Pompeos dhe ministrit turk, Cavusoglu. SHBA vendosi më 14 dhjetor sanksione ndaj Turqisë, disa muaj pasi Ankaraja testoi sistemet mbrojtëse ruse. Ushingtoni thotë sanksionet nuk synojnë që të cenojnë aftësitë mbrojtëse të Turqisë dhe të asnjë aleatit të tij.

“Qëllimi i tyre është që të parandalojë Rusinë që të përfitojë të ardhurave financiare thelbësore, akses dhe ndikim në vende të ndryshme të botës dhe jo të minojnë kapacitetet luftarake të Turqisë, apo çdo aleati tjetër të SHBA”, thuhet në deklaratë.

Në fund, SHBA i kërkon Turqisë që të zgjidhë “problemin” e sistemit S-400 në pajtim me traditën dhe historikun e pasur të bashkëpunimit si dy vende aleate, si dhe të orientojë veten drejt blerjes së sistemeve dhe armatimeve që janë në përputhje me standardet e NATO-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë