Ashtu si presidenti amerikan, edhe Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo duket se ka shfrytëzuar përvjetorin e 11-të të pavarësisë për t’i bërë thirrje Serbisë të njohë zyrtarisht Kosovën.
Pompeo ka uruar të gjithë shqiptarët e Kosovës duke u bërë I dyti zyrtar i lartë amerikan që flet qartë për njohjen reciproke të Kosovës nga Beogradi.
“Normalizimi gjithpërfshirës i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke do të jetë proces jetik për suksesin e Kosovës”, thotë Pompeo.
Në letrën e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit thuhet se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në të ardhmen për më shumë prosperitet, siguri dhe stabilitet.

“Në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan, e uroj Kosovën për përvjetorin e njëmbëdhjetë të shtetin të pavarur dhe sovran. Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për ta ndihmuar Kosovën që t’i hapë dyert drejt së ardhmes me më shumë prosperitet, siguri dhe stabilitet në dekadën e dytë të pavarësisë. Normalizimi gjithpërfshirës i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke si pjesë qëndrore të tyre, do të jetë proces jetik për suksesin e Kosovës. Arritja e këtij vizioni kërkon zhvillime të vazhdueshme për t’i forcuar institucionet tuaja demokratike. Ne dëshirojmë ta vazhdojmë ndërtimin e partneritetit tonë dypalësh, të mbështetur në vlera dhe prioritete të përbashkëta, duke e ndihmuar Kosovën për ta shtruar rrugën e saj drejt integrimit të mëtejshëm në Evropë. Shtetet e Bashkuara e çmojnë lidhjen e fortë mes popujve tanë dhe do t’i mbështesin hapat e atyre që punojnë për ta nxjerrë në pah potencialin e madh të Kosovës”, shkruhet në urimin e Pompeos.
Ndësa ne letrën e tij, presidenti Trump thotë se “marrëdhëniet e forta dypalëshe kanë rrënjë të thella në vizionin e përbashkët për një Kosovë më të qëndrueshme dhe më të begatë. “Tani që Kosova është duke hyrë në dekadën e dytë si një vend i pavarur dhe sovran, dëshiroj të inkurajoj qytetarët e Kosovës që të mbrojnë parimet demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në forcimin e ekonomisë. Gjëja më e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet e tyre dhe kjo është vendimtare për integrimin perëndimor të Kosovës “, shkruan shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje