Futboll

Daja i jep leksione Shehit, Partizani humb me polemika në Shkodër

Java e 26-të e Superiores flet e gjitha për Tiranën, që mbetet 9 pikë para vendit të dytë edhe pas ndeshjes së Kukësit rival. Skënderbeu u ka bërë një “nder” bardhebluve, duke mundur Kukësin 2-1 në Korçë, në një ndeshje pa tifozë pas vendimit të fundit të FSHF-së. Bregu realizoi një gol të bukur, ndërsa Dita dyfishoi shifrat pas pak minutash. Valon Et’hemi vetëm sa ndezi shpresat e veriorëve në fundin e pjesës së parë, sepse në vazhdim nuk ndryshoi asgjë dhe Kukësi doli pa pikë në Korçë.

Skënderbeu ngjitet në vend të katërt me 41 pikë dhe kjo ishte fitorja e katërt radhazi, ndërsa Kukësi duket se e ka harruar trepikëshin. Edhe ndryshimi i bërë në stol, ku vendin e Duros e zuri Shehi, nuk e ka ndryshuar situatën te skuadra verilindore, që gradualisht e sheh titullin të largohet. “Mjeshtri” Ilir Daja ia ka dhënë një mësim “nxënësit” të tij Orges Shehi, të cilin e ka pasur lojtar kur drejtonte Skënderbeun.

Vllaznia feston pas fitores me Partizanin. Gazeta Si, 9 mars 2020

Partizani ka marrë goditjen e radhës në Shkodër, ku gjithashtu u luajt pa tifozë. Të kuqtë janë mundur 1-0 në “Loro Boriçi”, me një penallti shumë të diskutueshme të dhënë nga kryesori Cjapi. Pas kësaj humbjeje ata mbeten në vend të 6-të dhe tashmë janë më afër zonës së rënies se asaj europiane, sepse për titull as që bëhet fjalë. Stafi i Partizanit e ka kontestuar fuqishëm penalltinë e dhënë në favor të Vllaznisë, që vendosi ndeshjen.

Shkodranët, edhe pas këtij trepikëshi, mbeten në zonën e “play-out“-it, por tashmë janë vetëm 1 pikë larg Bylisit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë