Bota

Shembet një urë këmbësorësh në Indi, të paktën 141 persona të vdekur

Gazeta Si – Në Indi, një urë e varur për këmbësorë mbi lumin Machchhu, u shemb në shtetin e Gujarat, në perëndim të vendit.

Numri i përkohshëm është të paktën 141 viktima. Në momentin e shembjes së urës, e cila ishte rihapur pak ditë më parë pas disa ndërhyrjeve të mirëmbajtjes, sipas disa burimeve ishin rreth 400 persona, ndërsa sipas autoriteteve lokale 150.

Kryeministri Narendra Modi, i cili ndodhet në Gujarat (shteti i tij i lindjes) për një vizitë tre-ditore, tha se ishte “thellësisht i pikëlluar nga tragjedia”.

Ura, mbi 230 metra e gjatë, mbështetej nga kabllo çeliku: ajo u shemb papritur, duke bërë që dhjetëra njerëz të binin në ujë. Ishte rreth orës 18:30 me orën lokale kur një turmë e madhe u mblodh në urën e quajtur Julto Pool, në veriperëndim të vendit.

Këto ditë në Indi festohet Diwali, një nga festat më të rëndësishme fetare, që simbolizon fitoren e së mirës mbi të keqen. Mes njerëzve në urë duket se në momentin e shembjes ka pasur edhe shumë fëmijë.

Sipas të gjitha gjasave, pesha e tepërt për një strukturë të lashtë shkaktoi shembjen.

Qeveria e Gujarat, në faqen e saj zyrtare, e përshkruan urën si “një mrekulli inxhinierike e ndërtuar në fillim të shekullit”.

Është në fakt një atraksion turistik vendas, i cili edhe për këtë arsye i ishte nënshtruar restaurimit që në fillim të vitit, deri të mërkurën, kur u rihap për publikun.

Mirëpo, sipas transmetuesit Ndtv, qasja është lejuar pavarësisht se ende nuk ka pasur certifikatë sigurie.

Imazhet e shpërndara në mediat sociale tregojnë dhjetëra njerëz që përpiqen dëshpërimisht të kapen pas rrënojave dhe kabllove të thyera për të nxjerrë veten nga uji.

Ekipet e shpëtimit mbërritën shpejt dhe shpëtuan dhjetëra njerëz dhe do të vazhdojnë të punojnë gjatë gjithë natës, thanë autoritetet lokale.

Kryeministri indian ka shpallur dëmshpërblim për viktimat dhe të plagosurit në aksident.

Sipas zyrës së tij, “ai kërkoi që situata të monitorohet nga afër dhe në vazhdimësi dhe (që autoritetet) të japin të gjithë ndihmën e mundshme për të prekurit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë