Shengeni Ballkanik pritet që të ndryshojë emër dhe vendimi mund të njoftohet që në Forumin Ekonomik të Shkupit, që do të mbahet ditën e enjte.
Ndryshimi i emërit ka si qëllim afrimin e Kosovës, Bosnjes dhe Malit të Zi, tre vendeve që e shohin me pësimizëm këtë nismë, madje duke e interpretuar edhe si dublim i panevojshëm i procesit të integrimit europian.
Lajmin e njoftoi Kryeministri, Edi Rama që nënkuptoi se ai vetë ishte skeptik se ndryshimi i emrit do të ndryshonte mendjen e këtyre vendeve, sidomos të Kosovës përsa i takon kësaj nisme.
“Shengeni Rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e BE, pra korniza e katër lirive të BE, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit. Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri është menduar që të ketë një emër tjetër thjesht si nismë. Unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prap me emrin, nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë”, deklaroi ai në një intervistë për Top Channel.
Rama foli nga Shkupi ku ka mbërritur një ditë para mbajtjes së forumit. Kohën e ka shfrytëzuar edhe për një takim me homologun e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Agjenda e Forumit parashikon fillimisht një fjalim të Ramës, Zaev dhe Vuçiçit, ndërsa në të marrin pjesë rreth 300 kompani nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe vende të tjera të rajonit.
Sipas Financial Times pritet që Tiranë, Shkupi dhe Beogradi të bien dakord për ndërmarrjen e disa hapave në drejtim të nismës së krijimit të një tregu të përbashkët, si lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit, korsi të dedikuara të gjelbërta në kufi për biznesin dhe reduktim burokracish për kalimin e mallrave dhe të punonjësve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje