Futboll

Shenja largimi për Strakoshën, Tare i vë syrin një portieri portugez

Nga gjithë lojtarët shqiptarë që Igli Tare ka marrë te Lacio, portieri Tomas Strakosha është ai që ka bindur më shumë, por duket se edhe për të ka ardhur koha të ndërrojë ambient. Portieri kuqezi ka humbur vendin e titullarit që pas momentit që u prek nga Covid-19. Për të ka pasur kritika dhe Lacio, duke parë lëvizjet e fundit, mund të shesë në verë.

Drejtori sportiv, Igli Tare, ka vënë në shënjestër portierin e Granadës, portugezin Rui Silva, madje ka nisur edhe lëvizjet për ta transferuar atë në Romë. Një lëvizje që përkthehet largim i Strakoshës nga skuadra, aq më tepër që për rinovimin e kontratës nga portieri kuqezi nuk është diskutuar deri tani. Pas rezultateve të fundit, presidenti Lotito ka kritikuar ashpër trajnerin Inzagi, por edhe Taren për afrimet e fundit, sidomos për Muriqin.

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios. Gazeta Si, 30 dhjetor 2020

Nëse Tare arrin marrëveshjen me Rui Silvën, që është në fund të kontratës me klubin spanjoll, mbetet për t’u parë cili do të jetë destinacioni i Strakoshës. Për të ka pasur oferta nga Anglia dhe Gjermania kohë më parë, por Lacio ka refuzuar klube si Liverpuli, Totenhemi dhe Bajer Leverkusen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë