Në Shqipëri është shënuar viktima e parë e gripit. Ai është një 48 vjeçar nga Elbasani që ishte shtruar në Senatoriumin e Tiranës.
Burimet thonë se ai ka humbur jetën pasi ishte prekur nga virusi AH1N1, i njohur ndryshe edhe si gripi i derrit. Ai ishte shtruar në spital që të mërkurën bashkë me dy persona të tjerë të dyshuar edhe ata se janë të prekur nga gripi i derrit dhe po mbahen në karantinë dhe nën kujdesin intensiv të mjekëve në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Por Shefja e Reanimacionit në Senatoriumin e Tiranës Alma Cami thotë se analizat nuk e kanë konfirmuar ende se 48 vjeçari humbi jetën nga virusi AH1N1. “Ka ardhur në spitalin tonë me një gjendje të vështirë në frymëmarrje. U detyruam ta fusnim në asistencë me frymëmarrje artificiale. Fatkeqësisht vuante edhe nga mushkëritë, pasi ishte alkoolist dhe pavarësisht ndihmës intensive nuk mundi të mbijetonte. Përsa i përket gripit, ne çdo vit presim raste të tilla, sidomos në ndryshimin e temperaturave dhe në rastin konkret nuk kemi ndonjë konfirmim të gripit të derrit, por janë elementë të gripit sezonal. Aktualisht janë 8 të shtruar jo për grip derri, por sezonal” deklaroi ajo.
Nuk ka asnjë reagim zyrtar deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik pritet që të japë detaje të hënën se në çfarë shkalle ishte sëmundja e 48 vjeçarit nga Elbasani dhe si është situata e gripit në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë ajo e gripit të derrit.
Pas tri rasteve, një prej tyre viktimë, Drejtoria e Shëndetit Publik në Elbasan ka zhvilluar një mbledhje urgjente për të analizuar situatën në këtë Qark dhe për të parandaluar një epidemi të mundshme. Simptomat e gripit të derrit janë temperaturë e lartë dhe ethe, dhimbje kockash, lodhje, djersitje dhe kollë.
Shpërthimi më i madh i epidemisë së gripit të derrit në vendin tonë erdhi në vitin 2009, kur humbën jetën më shumë se 10 persona. Atë vit, në stinën e dimrit, ashtu si në gjithë botën edhe në Ballkan, gripi i derrit shënoi kulmin me 5 mijë persona të prekur në rajon brenda 3 muajsh. Rasti më i rëndë në Shqipëri ishte ai i vdekjes një 25-vjeçareje nga Kukësi, e cila ishte shtatzënë me binjakë. Një rikthim i lehtë i kësaj epidemie u vu re në vitin 2014, kur në Tiranë u shënuan dy viktima brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Sipas të dhënave zyrtare te Ministrisë së Shëndetësisë, për periudhën shkurt-mars të vitit 2014, në Shqipëri ishin prekur nga gripi i derrit 77 persona. Sipas specialistëve, grupet më të rrezikuara nga gripi i derrit janë fëmijët nën moshën 2 vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna dhe personat obezë.
Alarmi për gripin e derrit në rajon
E para që ngriti alarmin për gripin e derrit në rajon ishte Serbia, e cila paralajmëronte qytetarët në mesin e dhjetorit që të merrnin masa. Mjekët serbë paralajmëronin se bëhej fjalë për një përzierje e virusit të derrave (AH1N1) dhe gripit sezonal (lloji B) dhe se nuk kishin vaksinë për të. Ekspertët paralajmërojnë se presim epidemitë të këtij gripi, por deri më tani në Serbi nuk është shënuar asnjë viktimë.
Ndërkohë, në Italinë fqinje, një 62 vjeçare nga Ferrara humbi jetën në fund të janarit pasi u diagnostikua me virusin AH1N1. Po ashtu gjatë muajit janar, në rajonin e Ankonas u regjistruan tre raste me virusin A H1N1 dhe u shtruan në spital menjëherë dhe u mbajtën nën kujdes intensiv.
Gripi i derrit u rikthye në Europën Juglindorë vjeshtën e kaluar, nga ku mendohet të jetë përhapur më pas në Ballkan. Virusi AH1N! arriti fillimisht në Hungari dhe pastaj Rumania filloi raportimin e shpërthimit të grupit në fermat e derrave, duke kërkuar therjen e 140,000 prej tyre brenda një jave. Më pas ishte Bullgaria ajo që do të ngrite alarmin për përhapjen e këtij gripi, pas vdekjes së dy fermerëve në tetor. Në një rajon të Bullgarisë 0 shkolla do të mbyllin dyert deri në 6 shkurt për të mbrojtur fëmijët nga përhapja e gripit të derrave.
Por epidemia më e madhe ka shpërthyer ne Indi dhe Marok, ku 84 persona kanë humbur jetën për shkak të gripit të derrit nga 1 janari deri më 2 shkurt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje