Puna e komisioneve të përhershme parlamentare nisi me përplasje. Socialistët respektuan vendimin e Konferencës së Kryetarëve për mbajtjen online të tyre, ndërsa demokratët vendimin e grupit të tyre parlamentar për prani fizike.
Komisioni i parë që u mblodh ishte ai i ligjeve. Deputetët e PD u shfaqën fizikisht në kryesinë e Kuvendit dhe në sallën ku kryetarja Klotilda Bushka nga PS nisi drejtimin e mbledhjes së përcaktuar online.
Kjo çoi në përplasje mes kryetares Bushka dhe anëtarëve të Partisë Demokratike në Komision. Bushka, pasi i falenderoi që në sallë po respektonin distancën fizike, u kërkoi që të futen online për të vijuar mbledhjen e Komisionit.
“Nuk e cakton ti se si duhet të logohemi ne. Ti je prezent në sallë, unë jam prezent! A ka mundësi të na japësh fjalën?!”, iu përgjigj Gazmend Bardhi nga PD.
Kryetarja Bushka refuzoi që t’i japë fjalën duke deklaruar se ajo po respektonte vendimin e konferencës së kryetarëve për mbajtjen e mbledhjes online.
“Mblidhemi të konferenca e kryetarëve dhe hajde ta ndryshojmë atë vendim. Unë po respektoj vendimin”, tha Bushka.
Duke dalë nga mbledhja, deputetët e PD-së kanë grisur fletët e rendit të ditës dhe të vendimeve të komisionit, duke nënkuptuar se vendimet e marra në këtë mbledhje nuk do t’i njohin. Opozita akuzoi se PS i mohoi të drejtën e fjalës.
“Deputetëve të opozitës iu mohua sot, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, e drejta e fjalës. Është qartazi përpjekje për të hequr transparencën që qytetarët të mos kuptojnë se cilat janë aferat që Edi Rama i kthen në ligj. Ne nuk do ta lejojmë kurrsesi një gjë të tillë. Ne do ta ndalim Ramën që të mos e kontrollojë këtë shtet në çdo qelizë të tij. Ne jemi prezent. Rama po i mohon opozitës mundësinë të marrë pjesë në komisione, që të mos denoncohen aferat e tij dhe të zhvasë çdo ditë shqiptarët”, tha deputeti Oerd Bylykbashi.
Ndërkohë, në Komisionin e Shëndetësisë, që drejtohet nga deputetja e PD-së, Albana Vokshi mbledhja u shfrytëzua nga opozita për të denoncuar sipas saj dy standardet e socialistëve sa u takon masave antiCovid.
Vokshi paraqiti disa foto, ku shfaqej mbledhja e parë e Qeverisë, sipas saj, në shkelje të masave kundër përhapjes së pandemisë. Ndërkohë, PD akuzon se Radiotelevizioni Shqiptar ndërpreu transmetimin e mbledhjes së këtij Komisioni në kanalin e dedikuar për Kuvendin.
“Në kanalin RTSH Kuvend, që paguhet nga taksat e qytetarëve, mbledhja e Komisonit që drejtohet nga deputetja e PD, Albana Vokshi u ndërpre kur zonja Vokshi po shfaqte fotografitë që tregojnë dy standardet e mazhorancës, mbledhje online për t’i kufizuar hapësirën opozitës dhe mbledhje fizike të qeverisë dhe PS pa respektuar masat për pandeminë”, tha PD.
PD denoncoi gjithashtu edhe fshirjen nga faqja zyrtare e Kuvendit e mbledhjes së Komisionit të Shëndetësisë të drejtuar nga opozita.
E njëjta situatë ndodhi edhe në Komisionin e Sigurisë, ku deputetët e opozitës u paraqitën fizikisht në sallë dhe i propozuan kryetarit të këtij Komisioni, Nasip Naço një minutë heshtje në nderim të efektivit të policisë të rënë në Lezhë.
“Vendimi i Konferencës së Kryetarëve thotë këtë gjë: Vendimet, mbledhjet e komisioneve merren online, por kur kushtet janë dhe në raste të jashtëzakonshme ato zhvillohen edhe fizikisht. Po a ka mbledhje që është në raste të jashtëzakonshme siç është edhe ky i sotmi për ngjarjen fatkeqe që ka ndodhur?”, tha deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj.
PD tha se në Komisionin e Sigurisë, opozitës nuk iu lejua pjesëmarrja fizike dhe nuk iu dha fjala, ndërkohë që maxhoranca refuzoi kërkesën e PD për të mbajtur 1 minutë heshtje për policin e vrarë në krye të detyrës në Lezhë.
“Kjo është frikë nga opozita, kjo është frikë nga parlamentarizmi, ne e kemi bërë me dije gjithmonë, Edi Rama e urren parlamentarizmin. Edi Rama e urren vlerat që përcjell parlamentarizmi, ndaj po bën gjithçka që t’i mbyllë zërin opozitës dhe parlamentarizmit. Opozita është e vendosur që të ndjekë të gjitha hapat për të rikthyer legjitimitetin këtij parlamenti, për t’i rikthyer debatin, diskutimin në parlament dhe për t’u përballur me regjimin që sot është në karrike falë masakrës zgjedhore që ka zhvilluar. Ne do të bëjmë gjithçka që të kthehet parlamentarizmi. Parlamentarizmi është vrarë. Të gjitha hap pas hapi, asgjë nuk bëhet të gjitha bashkë”, deklaroi nënkryetari demokrat i këtij Komisioni, Flamur Noka.
E vënë në dijeni të ndodhive në komisionet e tjera, kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli nuk e thirri mbledhjen online nga salla e mbledhjeve, por nga zyra e saj. Sipas PD, kjo u bë në shkelje të rregullores së Kuvendit, duke iu fshehur opozitës dhe përballjes me të.

“Është absurde që Komisioni i Jashtëm, në pikën më të rëndësishme të Kombit shqiptar, ku tanket serbe janë në kufi, ku sot është edhe vizita e Fonderlajnit, në situatën kritike të politikës së jashtme, Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme mblidhet online, pra, mblidhet nëpërmjet telefonave, mblidhet nëpërmjet selfie-t”, tha nënkryetari i këtij Komisioni, Tomor Alizoti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje