Efekti i punës së Igli Tares, drejtorit sportiv të Lacios, është i jashtëzakonshëm në aspektin financiar të klubit. E konfirmojnë shifrat e bilancit të 10 viteve të fundit për klubet më të mëdha europiane sa u takon shitjeve dhe blerjeve të kryera gjatë kësaj periudhe. Shtypi italian i ka kushtuar një artikull kësaj teme, duke evidentuar bilancet e klubeve të mëdha, jo vetëm atyre italiane.
Falë intuitës dhe zotësisë për të bërë blerje të zgjuara, Igli Tare ka arritur ta minimizojë bilancin negativ të Lacios, duke e çuar atë deri në minus 56 milionë euro. Mund të duket e çuditshme që ky deficit e bën Lacion ndër klubet me bilancin më pozitiv në Europë, por po të shohësh klubet e tjera e kupton qartë se çfarë ka arritur të bëjë drejtuesi shqiptar, ish-kapiteni i Kombëtares kuqezi. Pas Lacios, bilancin më të mirë nga ekipet e Serisë A e ka klubi tjetër i kryeqytetit, Roma, me minus 68.9 milionë euro.

Më pas vijnë me radhë skuadrat e tjera “top” të Italisë, por me shifra shumë më të frikshme se Lacio dhe Roma. Napoli e ka bilancin e 10-vjeçarit të fundit minus 161.9 milionë euro, Interi minus 391.1 milionë euro, Juventusi minus 413.7 milionë euro dhe Milani minus 438,8 milionë euro. Nga këto shifra është e lehtë të kuptosh pse Igli Tare është vlerësuar vitet e fundit me çmime të ndryshme në Itali dhe jo vetëm. Edhe pse shpenzon pak në merkato, ai arrin jo vetëm t’i sjellë të ardhura klubit, duke shumëfishuar vlerën e lojtarëve që sjell, por edhe e mban ekipin në nivele të larta. Kjo është një nga arsyet pse Milani apo ndonjë klub tjetër më i madh se Lacio kanë dashur ta marrin Taren në rolin e drejtorit sportiv.

Në podin e klubeve me bilancin më negativ të 10-vjeçarit të fundit nuk ka asnjë skuadër italiane. Në vend të tretë është Mançester Junajtid, me bilancin minus 832.6 milionë euro. Në vend të dytë është PSG-ja me bilancin minus 901.3 milionë euro dhe në vend të parë Mançester Siti, me bilancin minus 1 miliard e 90.8 milionë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje