Politike

Shkarkimi i Lindita Nikollës, PD nuk e ndan mendjen  

Propozimi për shkarkimin e Lindita Nikollës i inicuar nga disa deputetë të grupit ‘Alibeaj’ nuk po gjen mbështetje brenda PD.

Ervin Salianji kur foli për kërkesën drejtuar institucioneve të drejtësisë për të hetuar lidhjet e Ramës me ish-agjentin e arrestuar të FBI, tha se çdo çështje tjetër jashtë kësaj është boshe.      

“Çdo përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga kjo çështje, nga zbulimi i kësaj afere, dëmton interesat e opozitës dhe të qytetarëve shqiptarë. Në këtë sens shkon dhe një kërkesë e pakonsultuar, personale dhe pa diskutim për interesa meskine, kur në kushtet ku i gjithë presioni publik me të drejtë duhet të jetë te kryeministri, për të dhënë shpjegime, tek institucionet publike për të dhënë shpjegime për këtë rast, me njoftimet në media siç është bërë zakon, njoftohet që PD, ec e merre vesh se kush njofton ka bërë kërkesë për shkarkimin e kryetares së Kuvendit. Nuk është problemi i Shqipërisë sot nëse ikën Lindita apo vjen Taulanti, problemi i Shqipërisë sot është çështja e tentativës për të korruptuar për interesa personale nga ana e kryeministrit të Shqipërisë dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, të cilët institucionet shqiptare duhet të bëjnë hetim, transparencë të plotë”, tha Salianji.

Edhe deputeti tjetër i PD-së, Agron Gjekmarkaj ndau të njëjtin mendim.

“Nisma individuale për shkarkimin e zonjës Nikolla është e pakonsultuar me grupin e PD. Kjo bëhet për të spostuar vëmendjen në renditjen e temave politike dhe për ndonjë qokë brenda në PS. Nëse ne do kishim votat për të hequr Nikollën nuk ‘shtiem’ në ajër, shkarkojmë Ramën dhe e mbyllim çështjen e pushtetit. Kësisoj i kursejmë vendit edhe revolucionin”, ironizoi Gjekmarkaj


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë