Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka shkarkuar nga detyra prefektin e qarkut të Shkodrës pas situatës problematike me Covid-19 .
Ndërkohë qeveria ka vendosur të komandojë një zyrtar të lartë, zv.ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari për të koordinuar situatën e krijuar nga koronavirusi në kryeqendrën e Veriut dhe për të tejkaluar ndasitë politike në këtë moment të vështirë.
Lleshaj sqaroi se vendimi për prefektin e qarkut Shkodër është marrë në kuadër të përpjekjeve për një mbështetje më të madhe nga ana e Qeverisë për Shkodrën në tërësi dhe sidomos për mbështetjen e masave për tejkalimin e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.
“Nëse ne kemi shprehur rezerva deri tani për gjendjen në Shkodër, kjo nuk do të thotë që të gjithë vërejtjet kanë qenë të adresuara vetëm tek Bashkia.
Ne mënyrën se si kane funksionuar apo nuk kanë funksionuar gjërat në Shkodër kanë ndikimin e tyre edhe drejtues të caktuar degëve territoriale në qark si dhe vetë Prefekti të qarkut si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë atje.
Për fat të keq, gjatë kësaj periudhe të pandemisë, është vërejtur një inerci burokratike e papranueshme, një hezitim për të marrë përsipër përgjegjësi dhe mungesë e lidershipit, aq të domosdoshëm, sidomos në situata të tilla, kur drejtuesit duhet të marrin përsipër përgjegjësi për vendime për të cilat jo domosdoshmërisht ekziston ndonjë praktikë e konsoliduar më parë. Situata të tilla kërkojnë iniciativë dhe vendimmarrje.
Çdo drejtues vihet përballë situatave të panjohura dhe përballë vendimmarrjeve ndonjëherë të pasigurta. Hezitimi për të vepruar dhe për të vendosur, mund të sjellë shkaktojë mosveprimin i cili sjell pasoja të paparashikueshme.
Mungesa e vendimmarrjes për menaxhimin e situatës është arsyeja e vendimit për lirimin nga detyra të Prefektit të Qarkut Shkodër”, deklaroi Lleshaj.
Ministri theksoi se për të menaxhuar me efikasitetin më të lartë situatën në Qarkun e Shkodrës, qeveria ka vendosur të ngarkojë me detyrën e koordinimit dhe të drejtimit të përpjekjeve të gjithë degëve territoriale të qeverisjes në këtë qark zëvendësministrin e Brendshëm Besfort Lamallari.
“Krahas kësaj, z. Lamallari do të ketë detyrën e koordinimit dhe bashkëpunimit me kryetarët e bashkive, në interes të daljes sa më të shpejtë dhe më të lehtë nga gjendja e pandemisë.
Sigurisht që komandimi i një zëvendësministri në këtë funksion kaq të rëndësishëm, është shprehje e rëndësisë që Qeveria i kushton administrimit të gjendjes në tërësi e posaçërisht në Shkodër. Z. Lamallari do të ketë në dispozicion të tij jo vetëm institucionin e Prefektit dhe strukturat e degëve territoriale, por edhe gjithë kapacitetet e Ministrisë së Brendshme dhe të strukturave të tjera qendrore në funksion të menaxhimit sa më të mirë të situatës në Shkodër. Kam besim se drejtuesit e bashkive të qarkut do ta vlerësojnë këtë hap të rëndësishëm si shenjë përkujdesjeje të posaçme dhe të një vlerësimi të veçantë që Qeveria dhe Ministria e Brendshme ndjejnë përballë Shkodrës dhe qytetarëve të saj”, tha Lleshaj.
Ministri e kishte edhe një apel. “Dua t’ju kërkoj gjithë drejtuesve të bashkive në Qarkun e Shkodrës, gjithë drejtuesve të partive politikë, intelektualëve, medias dhe gjithë atyre që Shkodrën e shohin si kryeqendrën e shumë vlerave shqiptare, që në këto momente të kalojnë në plan të dytë shumë ndjeshmëri të vogla individuale apo partiake për t’u fokusuar vetëm tek Shkodra, e cila është shumë herë më e rëndësishme se të gjitha vogëlsitë, që marrin nganjëherë padrejtësisht vëmendje dhe energji të mëdha”, u shpreh Lleshaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje