Një fitore e vuajtur, por shumë e rëndësishme, një fitore alla Konte. Një fitore që i fal Interit shkëputjen e parë të vërtetë, 6 pikë më shumë se vendi i dytë. Suksesi 1-2 në Parma ka certifikuar edhe rritjen e zikaltërve, që herë të tjera në këtë kampionat kishin pësuar rënie në fund të ndeshjes, duke e ulur përqendrimin.
Konte e ka mësuar skuadrën se duhen fituar edhe ndeshjet “e pista”. Vështirë të kritikosh një grup që, – pa harruar situatën e pronësisë së klubit, – ka sulmin më të mirë të kampionatit dhe mbrojtjen e dytë më të mirë. Mbi të gjitha, në 2021-shin Interi është një rul. Nga 4-2-shi ndaj Torinos më 22 nëntor, ka fituar 15 nga 18 ndeshjet e fundit në kampionat (ka 2 barazime me Romën dhe Udinezen dhe 1 humbje me Sampdorian).

Një ecuri e jashtëzakonshme, thuajse më e mira në kampionatet më të forta në Europë. Vetëm Mançester Siti i Guardiolës ka grumbulluar më shumë pikë në 18 ndeshje kampionati: 50, pas 16 fitoresh dhe 2 barazimesh. Larg qëndron Bajerni, me 40 pikë pas 12 fitoresh, 4 barazimesh dhe 2 humbjesh. Edhe Atletiko Madrid, i pari në Spanjë, ka 44 pikë, me 14 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje.
Një marshim që vjen erë titulli, jo vetëm se rivalët kanë humbur pjesë të rëndësishme dhe pikë, pavarësisht se vazhdojnë edhe në Kupat e Europës. Për herë të 4-t në epokën e fitoreve 3-pikëshe, Interi ka të paktën 59 pikë në 25 javët e para. Dhe në të tre precedentët e mëparshëm ka fituar titullin: 2006/07, 2007/08, 2008/09.
Konte pas fitores në derbi kishte thënë se nga Xhenoa dhe Parma do të kuptonte se çfarë mund të bënte Interi. Ai e dinte pikun e tensionit pas sukseseve me Lacion dhe Milanin, dinte edhe që taktikisht “të voglat” mund të krijojnë probleme. Dinte që Parma e rekordit negativ për pikët në shtëpi (vetëm 8) do ta shiste shtrenjtë lëkurën, ndërsa miku i tij D’Aversa e kishte studiuar mirë, duke shfrytëzuar kundërsulmin, kur Interi do të linte hapësira. Presioni i kryesuesit rritet nga java në javë, por profesor Konte i bën mirë llogaritë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje