Futboll

Shkriniar dhe Bastoni dalin pozitivë, Konte dridhet para derbit

Alarm tek Interi. Ajo që deri pak ditë më parë dukej vetëm një kërcënim, tani është realitet. Alesandro Bastoni dhe Milan Shkriniar kanë rezultuar pozitivë në testet e Covid-19 të bëra me kombëtaret. Bastoni ka filluar karantinën, pas konfirmimit edhe në tamponin e dytë. Shkriniar, pozitiv në testin e parë, pret rezultatin e tamponit të dytë dhe nëse rezulton sërish pozitiv, duhet t’i nënshtrohet edhe ai karantinës së detyruar dhe duhet të qëndrojë dy javë në vendin e tij, në Sllovaki.

Në këtë situatë, duket se Interi do të ketë dy mungesa të rëndësishme në derbin e 17 tetorit me Milanin dhe ndoshta në ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve ndaj Borusia Mënshengladbah. Për trajnerin Antonio Konte është emergjencë në mbrojtje 9 ditë para derbit. Në kampin zikaltër ka një shqetësim të madh që lidhet me mënyrën si u zbulua që Bastoni dhe Shkriniar janë pozitivë. Të dy lojtarët rezultuan negativë në tamponin e parë në kombëtare, por 48 orë më pas gjithçka ndryshoi dhe kjo gjë ka rritur frikën se të tjerë pjesëtarë të ekipit mund të jenë pozitivë.

Milan Shkriniar, sllovaku i Interit që ka rezultuar pozitiv. Gazeta Si, 8 tetor 2020

Tetë lojtarët që kanë mbetur në Milano duhej të nisnin stërvitjen të mërkurën, por programi i tyre ndryshoi pas lajmit se Bastoni dhe Shkriniar dolën pozitivë. Handanoviç, Radu, Padeli, Galiardini, Naingolan, Jang, Ranokia dhe Darmian kanë bërë një tampon tjetër dhe sot do të mësojnë rezultatet. Lëvizjet për ta janë kufizuar, vetëm stërvitje individuale dhe shtëpi. Kur të kthehen të gjithë lojtarët në Itali, do të bëhet vlerësimi se çfarë do të ndodhë me skuadrën, do të ketë një izolim apo jo.

Konte i frikësohej shumë ndërprerjes së kampionatit, ashtu si dhe shumë trajnerë të tjerë, të cilët shohin dhomën e zhveshjes të boshatiset në raste të tilla. Trajneri i Interit po mendon që tani për arnimin e mbrojtjes. Ai ka kërkuar një organikë me lojtarë që përshtaten në më shumë se një rol. Kështu, me mungesat që ka, Konte mund të aktivizojë D’Ambrozion si qendër të djathtë dhe Kolarovin qendër të majtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë