Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka nisur seancën për mocionin e mosbesimit të qeverisë, por ajo është ndërprerë me kërkesë të opozitës, meqë i mungon një deputet.
Në njoftimin që e ka bërë në Facebook, deputeti nga Lëvizja Besa, Kastriot Rexhepi, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në seancën e kuvendit për rrëzimin e qeverisë.
“Duke pasur parasysh momentin politik, pas shtyrjes të dorëheqjes nga kryeministri Zoran Zaev, për hir të procesit dhe sinjalet e forta nga partnerët strategjik, Shtetet e bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe shtetet e Bashkimit Evropian(BE) që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të marr pjesë në seancën parlamentare ku duhej të merrej vendim, me të cilin do të vihet në pikëpyetje ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror. Si politikan dhe deputet i përgjegjshëm, mora këtë vendim jo të lehtë duke i vënë interesin e popullit dhe shtetit në radhë të parë”, ka shkruar Rexhepi, deputet i Lëvizjes BESA.
Dy deputetët e tjerë të kësaj partie janë për mocionin e mosbesimit të qeverisë.
Kuvendi e ka ndërprerë seancën me kërkesë të VMRO DPMNE-së, e cila do të shqyrtojë situatën pas vendimit të këtij deputeti.
VMRO-DPMNE, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, si dhe Lëvizja Besa, besonin se kanë siguruar votat e 61 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
“Unë mendoj që kemi votat për të rënë qeveria dhe përfundimisht mendoj se do të lirohen qytetarët. Do të bie Qeveria, qytetarët do të lirohen nga ky presion. Kjo qeveri anti-qytetare do të bie”, deklaroi para nisjes së seancës Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Edhe deputeti i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, tha se beson se do të kalojë mocioni i mosbesimit.
“Sot (e enjte) do të bie qeveria, e për formim të shumicës së re ka kohë”, u shpreh Apasiev.
Partia Alternativa, e cila fillimisht kishte refuzuar të jetë pjesë e nënshkrimeve ku bën pjesë edhe “E Majta”, mbetet në qëndrimin se do ta votojë mocionin e mosbesimit, por nuk do të jetë pjesë e ndonjë nisme për qeveri të re nëse aty do të ishte e “E Majta”.
“Ne asnjëherë nuk do të jemi në një listë të përbashkët, në një tavolinë të përbashkët me njerëz, të cilët janë antishqiptarë, anti-NATO, anti-BE, anti -Kosovë dhe në asnjë rast nuk lejojmë që të jemi pjesë e ndonjë shumice me ta. Ne nuk do të jemi pjesë as e listës për mandatin nëse aty qëndron ‘E Majta’ ”, ka deklaruar deputeti i Alternativës, Skënder Rexhepi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje