Futboll

“Shpalleni Liverpulin kampion dhe mbylleni sezonin, jeta e para!”

Në Angli janë të ndarë në lidhje me rifillimin ose jo të kampionatit. Grupit të atyre që janë kundër vazhdimit të Premier League i është bashkuar edhe kryebashkiaku i Liverpulit, Xho Anderson, i cili propozon që t’i jepet titulli skuadrës së trajnerit Klop dhe të mbyllet sezoni. Qytetari i parë i Liverpulit i druhet fakti se në Angli, edhe nëse luhet më dyer të mbyllura, do të ketë me mijëra tifozë jashtë stadiumit “Anfield Road”.

Anderson mendon gjithashtu se euforia e një titulli të pritur prej 30 vitesh mund të degjenerojë në thyerjen e rregullave të distancimit social. “Besoj se nuk do të ketë shumë njerëz që do t’i respektojnë rregullat. Shumë tifozë do të jenë në rrethinat e stadiumit për të festuar dhe e kuptoj shqetësimin e policisë. Mendoj se do të jetë vërtet e vështirë për policinë t’i mbajë njerëzit të ndarë sipas distancës sociale, ndërsa ata duan të festojnë titullin. Kam bindjen se tifozët do t’i injorojnë rregullat në këtë rast. Edhe nëse luhet në një fushë neutrale, skenari nuk do të ndryshojë shumë”, – shprehet Anderson.

Xho Anderson, kryebashkiaku i Liverpulit. Gazeta Si, 1 maj 2020

Duke gjykuar nga kjo situatë, kryebashkiaku i Liverpulit thotë se është më mirë që federata dhe qeveria të marrin një vendim të përshtatshëm: “T’i kërkojmë federatës dhe qeverisë t’i marrin parasysh të gjitha këto shqetësime që kemi. Liverpuli duhet të jetë kampion, e meriton, duhet të kurorëzohet si fituesi i kampionatit. Në radhë të parë është shëndeti dhe siguria e jetës së njerëzve, futbolli është në plan të dytë. Për këtë arsye, sezoni duhet të mbyllet në këtë pikë”. Një sugjerim që nuk është pëlqyer shumë në “Anfield”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë