Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës e ka shpallur antikushtetues Ligjin për moszbatimin e Vendimit të Përfaqësueses së Lartë në Republika Srpska i cili i referohet mohimit të gjenocidit në Srebrenicë dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës.
Kështu bëri të ditur Gjykata Kushtetuese të premten, më 15 korrik. Vendimi është marrë në bazë të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së atij ligji, e cila është dërguar nga shtatë delegatë në Këshillin e Popujve të Republika Sërpskas.
“Gjykata Kushtetuese është udhëhequr nga praktika e saj e mëparshme në disa raste të ngjashme, sepse përfaqësuesi i lartë ka vepruar si institucion legjislativ, duke zëvendësuar autoritetin kompetent, që në këtë rast është Asambleja Parlamentare e Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Mirsad Çeman, zv. kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Bosnje, në konferencën për gazetarët në rrethin Brçko.
Delegatët e paraqitën ankesën në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës pasi Gjykata Kushtetuese e Republikës Sërpska hodhi poshtë veton e Klubit Boshnjak në Këshillin e Popujve të RS-së për ligjin e miratuar në shtator të vitit të kaluar.
Këshilli për Mbrojtjen e Interesit Vital Kombëtar pranë Gjykatës Kushtetuese të RS vlerësoi në atë kohë se ligji nuk cenonte interesin kombëtar të popullit boshnjak.
Më 11 korrik, Srebrenica shënoi 27 vjetorin e gjenocidit të kryer nga forcat serbe në atë vend në vitin 1995, në të cilën forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë.
Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje