Futboll

Shpërblimi i Bashkisë për Tiranën kampione, në “pozicion jashtë loje”- Kthejuani qytetarëve

Titulli i 25-të kampion i Tiranës është shoqëruar me përshëndetjen e rastit nga kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliaj, por edhe me premtimin e një shpërblimi nga institucioni i pushtetit vendor.

“Është një superlajm titulli i Tiranës për 100-vjetorin e klubit. Do ketë shpërblim për gjithë skuadrën, jo vetëm për ata 11 që zbresin në fushë. E di që shumë vetë thoshin dje pse s’ka bërë urim Lali Eri si politikanë të tjerë, por politikanët e tjerë ndoshta fjalët i kanë të tepërta. Kur flasim ne të bashkisë, urimet nuk bëhen me duart bosh, por me duart plot. Bëmë edhe një analizë me klubin për atë që do ishte një shpërblim i arsyeshëm”, – tha kryebashkiaku Veliaj.

Nuk ka gjë të keqe të japësh një shpërblim për ekipin e futbollit të qytetit, veçanërisht kur ky i fundit fiton trofe, por në këtë kohë që po jetojmë duket sikur nuk shkon. Nëse do të përdorim terminologjinë e futbollit, ngjan si një “gol në pozicion jashtë loje”. Lekët e taksapaguesve të kryeqytetit mund të shërbejnë për shumë e shumë gjëra të tjera në këtë periudhë pandemie, ku njerëzit në nevojë janë të shumtë. Fondi që do të shkojë për ekipin e Tiranës, – ku bashkia është aksionere, – sado që të jetë, mund të ishte shumë herë më efikas diku tjetër, për njerëz që kanë humbur punën, për shembull, për kopshte, shkolla, çerdhe…

Postimi i kryebashkiakut Veliaj në faqen e tij për titullin e Tiranës. Gazeta Si, 21 korrik 2020

Në fund të fundit, nuk është diçka e nevojshme apo e domosdoshme shpërblimi për një ekip futbolli edhe në kohë normale, jo tani në kohë krize. Mund të kursehej. Tirana e fushës së blertë ka bërë detyrën, nuk është një arritje e jashtëzakonshme, është ekipi më i titulluar në vend. Klubi ka një president që ka shpenzuar miliona për të arritur te titulli, ata njerëz që kanë kontribuuar për këtë arritje janë të mirëpaguar. Ka shtresa të tjera që me shpërblimin e Bashkisë për Tiranën kampione do të zgjidhnin gjëra me më shumë rëndësi se futbolli, ndoshta jetike.

Në këtë sens, shpërblimi i premtuar nga kryebashkiaku Veliaj për titullin e Tiranës në këtë kohë krize ka tingëlluar keq. Përveç kësaj, ka nxituar edhe reagimet e tifozëve të skuadrave të tjera të kryeqytetit. Taksa paguajnë edhe tifozët kryeqytetas të Partizanit dhe Dinamos, pse ato duhet të shkojnë për të shpërblyer titullin e Tiranës?!

Për ta mbajtur të papërlyer titullin  nga çdo insinuatë nga ky gol  në pozicion jashtë loje kampionët  e Tiranës le t’jua kthejnë si donacion qytetarëve të saj


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë