Lajme

Shpërndanin kanabis, 4 të arrestuar në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona gjatë mbrëmjes së të martës, në një operacion të koduar “Qelqi” që goditi dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.
Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan 1 kilogramë e 251 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe 19 doza të dyshuara heroinë. Në pranga ka përfunduar 26-vjeçari E. Xh., si dhe dy 24-vjeçarët S. D. dhe A. B., që të tre këta me banim në kryeqytet, të cilët po udhëtonin me një automjet të marrë me qira, gjatë kontrollit të të cilit u gjet edhe lënda narkotike që po tentohej të shitej në zona të ndryshme të Tiranës.
Po gjatë operacionit ra në prangat e policisë edhe shtetasi B. V., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.
Policia dispononte informacione se ky shtetas merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike të drogërave të forta, kryesisht heroinë në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe rrugës së “Qelqit”. Lëndën narkotike ky shtetas e siguronte nga persona të tjerë, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë