Politike

Shpërndarja e Parlamentit? Manja: Meta i bën atentat Kushtetutës

Socialistët shprehen se Presidenti nuk ka të drejtë të shpëndajë Parlamentin përveç rasteve të parashikuara në Kushtetutë. Reagimi i parë ka ardhur nga Korça nëpërmjet kryetarit të komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili i është kundërpërgjigjur qëndrimeve të ashpra të presidentit Meta lidhur me ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Presidenti është në një procedurë shkarkimi në Kuvendin e Shqipërisë, është brenda afateve që ka përcaktuar Kuvendi. Lidhur me shpërndarjen e Parlamentit nga ana e presidentit, edhe në këtë rast Kushtetuta e ka bërë të qartë se në cilat raste shpërndahet Parlamenti, është diçka absurde ta mendosh. Besoj do të ishte shkelja më e rëndë, atentati më i rëndë që mund t’i bëhet Kushtetutës së vendit”, deklaroi Manja.
Më tej Manja ka theksuar se nisma për ndryshime në ligjin e Gjykatës Kushtetuese është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë më 6 dhjetor të vitit 2019, Kuvendi u shpërnda në 18 dhjetor të vitit 2019 sepse u mbyll sesioni i vjeshtës dhe rifilloi punën sipas rregullores së Kuvendit më 20 janar dhe projektligji që ne miratuam në kuvendin e Shqipërisë, kaloi në të gjitha filtrat dhe procedurat parlamentare dhe ishte një ndryshim normal, ishte një mekanizëm për zhbllokimin e një situate konfliktuale siç është rasti i betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ai e mohoi në mënyrë kategorike se ky votim kishte lidhje me vizitën e delegacionit të Venecias.
“Nuk ia mohon kushtetuta të drejtën e dekreteve presidentit edhe në rastin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese presidenti është i lirë të ushtrojë atributin e vet kushtetues, ta dekretojë ose jo por nuk ia lidh dot duart parlamentit në një republike parlamentare për të miratuar ato ligje për të cilat është votuar Parlamenti. Presidenti mund të këtë parasysh shumë gjëra, por duhet t’i referohet nenit 1 të Kushtetutës së Shqipërisë. Shqipëria është Republike Parlamentare. Presidenti është një institucion kushtetues që buron nga Kuvendi i Shqipërisë dhe është i detyruar si çdo institucion tjetër t’i bindet kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, theksoi Manja, i cili është edhe kryetari i komisionit hetimor për shkarkimin e Metës. Sakaq kryekomisioneri nuk ngurroi që ta cilësonte Metën si opozita e vendit e kjo sipas tij e ka treguar me sjelljet që po mban.
“Presidenti do të duhet t’i kthehet pozicionit të tij kushtetues, simbol i unitetit të kombit dhe unë mendoj se Ilir Meta si president me këto trajektore dhe sjellje politike që ka pasur në vijimësi që në janarin e vitit 2019 dhe me anulimin e zgjedhjeve vendore, por dhe me rasti e fundit që ka të bëjë me Gjykatën Kushtetuese unë mendoj e presidenti e ka humbur rolin e tij si simbol i unitetit të kombit. Ilir Meta sot është opozita e vendit, me sjelljen e vet politike po luan rolin e opozitës. Ne si mazhorancë për sa kohë do të jetë në atë funksion do e respektojmë si president i vendit, por kjo nuk do të thotë që kuvendi mos analizojë dhe të trajtojë sjelljen e presidenti të republikës shkeljen e Kushtetutës. Nëse presidenti ka probleme të natyrës kushtetuese si çdo institucion, është i lirë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Manja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë