Duhet të dish të humbësh, edhe kur je mësuar të fitosh. Finalja e Kupës së Amerikës, superklasikja mes Brazilit dhe Argjentinës, dhuroi një rezultat të rrallë për 30 vitet e fundit. Fituan argjentinasit, të cilët kanë prishur “agjerimin” e trofeve që zgjaste që nga viti 1993. Ishte trofeu i parë ndërkombëtar i Lionel Mesit. Dhe Brazili, që dorëzoi titullin, është i detyruar të mjekojë plagët.
Plagë që duken të thella, nëse shohim qëndrimin e kapitenit Tiago Silva, i cili është kapur me tifozët. Një ditë pas humbjes, mbrojtësi ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku nuk ka pasur fjalë të bukura për patriotët e tij. Por fillimisht Tiago Silva ka komplimentuar Argjentinën për trofeun dhe ka falënderuar atë pjesë tifozësh që ka mbështetur Seleçaon në një turne të komplikuar nga ana ambientale.

“Përgëzime rivalëve tanë për fitoren. Tani është momenti për të karikuar bateritë dhe për t’u kthyer më të fortë. Për të gjithë ata që kanë bërë tifo dhe kanë vuajtur me ne, kam falënderimet më të sinqerta. Zoti ju bekoftë!”
Deri këtu është Tiago Silva klasik. Por më poshtë postimi vazhdon me polemikat për ata që mbrojtësi i quan tifozët falsë. “Ah, për ata që kanë bërë tifo kundër nesh, shpresoj të jenë të kënaqur tani! Por nuk dua që të vijnë më pas dhe të bëjnë si miq për të kërkuar atë që duan (intervista, bileta për fëmijët, fanella dhe foto)”. Një sulm frontal për një pjesë të opinionit publik, që sipas kapitenit të Brazilit, nuk e mbështet skuadrën dhe është gjithmonë gati të shtiret për dashuri ndaj kombit, në mënyrë që të përfitojë diçka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje