Bota

Shpërthimet që tronditën Kabulin. Kush është grupi terrorist përgjegjës ISIS-K?

Sulmi në aeroportin e Kabulit, i paralajmwruar nga shërbimet e inteligjencës perëndimore, tragjikisht nxori në pah një kërcënim “të ri”, me një pjesë të emrit vdekjeprurës të njohur: Isis-K.

Shteti Islamik i lindur në krahinën afgane të Khorasan, megjithatë, nuk përfaqëson një “degë” të ISIS -it “të vjetër”, atë të Irakut dhe Sirisë, e cila në të kundërtën mohon çdo lidhje me grupin.

Po hyjmë në një fazë të re, në të cilën talebanët e shohin veten të kundërshtuar nga Shteti Islamik, me spektrin e dhunës dhe vdekjes së re që po bëhet gjithnjë e më konkrete.

Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, zyrtarët e Pentagonit në SHBA u shprehën se presin që grupi militant ISIS të kryejë sulme të tjera terroriste. Gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA, tha se ndërsa vazhdojnë të hetojnë autorët e sulmit të sotëm, janë të fokusuar edhe në “rrjedhat e tjera të kërcënimeve jashtëzakonisht aktive” në aeroport.

“Por tani për tani fokusi ynë është tek rrjedhat e tjera aktive të kërcënimeve. Rrjedha kërcënimesh jashtëzakonisht aktive kundër aeroportit, ne duam të sigurohemi që po ndërmarrim hapat për të mbrojtur veten. Ne po fokusohemi në këtë çështje.

Gjenerali shpjegoi sulmet e mëtejshme mund të jenë të pashmangshme dhe se mund të ndodhin në çdo moment. Sipas tij, sulmet e radhës mund të jenë me raketa, automjete apo edhe kamikaze.

Të paktën 60 persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e dy sulmeve kamikaze në Afganistan. Ndërsa, sipas AP mes viktimave janë edhe 12 ushtarë amerikanë, më konkretisht 11 marinsa dhe një mjek ushtarak. Si pasojë e shpërthimeve mbetën po ashtu të plagosur të paktën 140 persona.

Përgjegjës për sulmin është grupi ISIS-K me bazë në Afganistan.

Por çfarë është ISIS-K?

Presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë e kanë përmendur vazhdimisht grupin ISIS-K si ai që kërkon të sulmojë objektivat perëndimorë në Afganistan.

ISIS -K ose Provinca Khorasan e Shtetit Islamik (ISKP)  është filial rajonal i ISIS, i ashtuquajtur Shteti Islamik që është aktiv në Afganistan dhe Pakistan. Është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan.

ISIS -K u krijua në janar 2015 në kulmin e fuqisë së ISIS në Irak dhe Siri, para se kalifati  i vetëshpallur të mundej dhe çmontuar nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA.

Ai rekruton si nga xhihadistët afganë ashtu edhe nga ato pakistanezë, veçanërisht nga anëtarët e talebanëve afganë të cilët kanë parë organizatën e tyre si ekstreme.

ISIS-K e ka bazën në provincën lindore të Nangarhar, pranë rrugëve të kontrabandës së drogës dhe njerëzve brenda dhe jashtë Pakistanit.

Në kulmin e tij grupi numëronte rreth 3,000 luftëtarë, por ka pësuar viktima të konsiderueshme në përleshjet me forcat e sigurisë amerikane dhe afgane, dhe gjithashtu me talebanët.

A janë ata të lidhur me talebanët? Nga ana periferike, përmes një pale të tretë, rrjetit Haqqani. Sipas studiuesve, ka lidhje të forta midis ISIS-K dhe rrjetit Haqqani, i cili nga ana tjetër është i lidhur ngushtë me talebanët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë