Bota

Shpopullimi, plaga që s’e shëron as integrimi

Shpopullimi është sfida më e madhe me të cilën po përballet këto vite i gjithë rajoni i Ballkanit dhe përjashtim nga fenomeni nuk bën Maqedonia e Veriut, Presidenti i së cilës, Stevo Pendarovski thotë se “nëse në dekadën e parë pas shpërbërjes së Jugosllavisë kërcënimi kryesor ishin tensionet etnike, në dekadën e fundit është shpopullimi: gjithnjë e më shumë njerëz po largohen.

Sipas disa staticienëve, Maqedonia e Veriut, anëtarja më e re e NATO-s mund të ketë humbur një të katërtën e popullsisë së vet që kur u bë i vetmi vend që u shkëput paqësisht nga Jugosllavia në vitin 1991. Askush s’e di me siguri, pasi censusi i vetëm i mbajtur në këtë vend daton që në vitin 2002, një vit pas luftës që shpërtheu, kur shqiptarët i kërkuan më shumë të drejta shumiçës maqedonase.

Censusi i 2002 numëronte thuajse 2.1 mln banorë. Sot, nga analizimi i shifrave të lindjeve, vdekjeve dhe regjistrat e taksave kanë çuar disa ekspertë të mendojnë se popullsia në Maqedoninë e Veriut është tkurrur në rreth 1.6 milionë banorë.

“Prirja është e qartë dhe askush nuk mund të parashikojë se kur do të ndalojë, apo ngadalësojë pakësimi i popullsisë”, deklaron Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski për Financial Times.

Një census i parashikuar për këtë vit u shty në Maqedoninë e Veriut për shkak të zgjedhjeve të parakohshme që pasuan bllokimin e hapjes së negociatave nga Presidenti francez, Emmanuel Macron për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë.

Social-demokratët në pushtet kanë propozuar që censusi të mbahet në prill të vitit të ardhshëm dhe gjasat që rezultatet e tij të jenë të diskutueshme janë të mëdha, për shkak të marrëveshjeve delikate të ndarjes së pushtetit mbi baza etnike, mbi të cilën është e bazuar qeverisja maqedonase.

Censusi është zvarritur në të shkuarën për shkak të frikës për të konfirmuar përbërjen e saktë etnike të popullsisë së maqedonase mes maqedonasve, shqiptarëve dhe minoriteteve të tjera. Edhe këtë herë, ka kritikë që kërkojnë një tjetër shtyrje duke e argumentuar me situatën e pandemisë së koronavirusit.

Nacionalistët e VMRO-DPMNE, e cila si bazë kryesore të mbështetjes së saj ka maqedonasit akuzon Qeverinë se po përdor regjistrimin e popullsisë për të krijuar tensione etnike dhe se po punon për të falsifikuar shifrat e tij. Social-demokratët nga ana tjetër kanë joshur elektoratin shqiptar me sloganin “një shoqëri për të gjithë”.
Ashtu si në pjesën tjetër të Europës, edhe në Maqedoninë e Veriut plakja e popullsisë po sforcon financat publike. Vendi ka rreth 350 mijë pensionistë dhe fondet shtetërore në skemën e pensioneve ishin të barabarta me 4.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit në 2018-ën.

Remitancat prej 1.7 miliard euro në 2019 mbulian defiçitin tregtar prej 1.6 miliard euro, por Branimir Stojanoviç, ekonomist në Institutin e Studimeve Ekonomike të Vjenës dhe i ish-këshilltar në Ministrinë e Financave, thotë se shpopullimi dhe emigrimi po reduktojnë si kapitalin njerëzor, ashtu edhe rritjen ekonomike në afat të gjatë.

BE i hapi negociatat në fund të muajit mars, por me gjasë as anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në union nuk do të zgjidhë problemin e shpopullimit. Si Kroacia, ashtu edhe Bullgaria përjetuan një emigrim edhe më masiv të qytetarëve të tyre pas anëtarësimit në BE.

Ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieve tha për Financial Times se 200 mijë bullgarë u rikthyen në atdhe në mars, kur pandemia godit fort Europën. “Njerëzit u rikthyen sepse ndjehen më të sigurtë në shtëpinë e tyre”, tha ajo. Zaharieva shprehet se Qeveria e saj po punon me kompani të mëdha në përpjekje për të hapur vende të reja pune për këtë kategori, që edhe në fund të pandemisë, ata të mos zgjehdin që të largohen nga Bullgaria.

Sipas një studimi të kryer në janar nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale në Bullgari, 60 për qind e të rinjve që studiojnë, apo punojnë jashtë vendit deklarojnë se janë gati të rikthehen në atdhe nëse gjejnë një mundësi të përshtatshme punësimi. Me shpresën që të përfitojë nga rikthimi i përkohshëm i emigrantëve për shkak të pandemisë, qeveria bullgare ka nisur fushatën “Bullgaria ka nevojë për ty”.

Por, për Maqedoninë e Veriut detyra e parë duhet të jetë saktësimi se sa njerëz jetojnë brenda vendit, pas thuajse një gjenerate hamendësimi. Censusi i radhës do të na japë të dhëna me rëndësi edhe për një seri fushash të tjera, përfshirë punësimin dhe lindshmërinë.

“Është thelbësore që vendi të zbatojë censusin vitin e ardhshëm sepse asnjë politikë qeverisëse e duhur nuk mund të ndërmerret pa pasur të dhëna statistikore të sakta. Aktualisht, të gjitha statistikat janë të bazuara në hamendësime dhe kjo nuk i shërben një administrate serioze”, deklaroi Presidenti Pendarovski për Financial Times.

Burimi: Financial Times. Përshtati në shqip Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë