Politike

Tiranë-Shkup, mbledhje e përbashkët mes dy qeverive, Rama: Duhet të jemi më shumë kërkues ndaj BE për energjinë

Gazeta Si – Pas 5 vitesh, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i janë rikthyer mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive.

Pas Pogradecit në vitin 2017, ishte Shkupi që priti këtë të hënë kabinetet e dy qeverive.

Në mbledhjen e përbashkët mes 2 qeverive, kryeministri Edi Rama tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë sfida, që duhet të kalohen bashkë.

“Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes, për të kuptuar se si mund ta kapërcejmë të sotmen dhe për të projektuar një të ardhme e cila të rrisë në maksimum aftësitë  e vendeve tona që të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e madhe sesa hapësira jonë e përveçme gjeografike, kemi parë rezultate të mira nga marrëveshjet të bërë në kuadër të Ballkanit të hapur. Do vazhdojmë të jemi mbështetës të palëkundur të procesit të Berlinit, nisma pjesë të njëra tjetrës, jo si përjashtuese të njëra tjetrës. Mbështetja e marrë nga BE për buxhetet tona për përballimin e krizës është lajmi mirë, por nga ana tjetër nëse mbajmë parasysh se ato fonde janë një rialokim i fondeve IPA, duhet të jemi shumë më kërkues nga BE dhe nuk mund të mjaftohemi apo gëzohemi me këtë hap i cili është një hap i madh po të krahasohemi me momentet tragjike të pandemisë kur u lamë krejtësisht vetëm nga mundësia për të marrë vaksinat në fazën e parë.

Është një hap gjysmak po të shikojmë se çfarë kemi nevojë dhe jo vetëm se çfarë mund të marrim, por edhe çfarë mund të japim për këtë komunitet”, tha Rama. Sipas tij, BE-ja duhet të na përfshijë më shumë në ‘luftën’ kundër rritjes së çmimit dhe inflacionit

Kryeministri Edi Rama ne Shkup

“Kjo mbledhje është edhe në aspektin e përpjekjeve tona të përbashkëta për t’u bërë pjesë e BE, sepse e kemi kapërcyer hendekun e madh dhe torturues mes të qenit gati për të hapur bisedimet dhe refuzimit të vazhdueshëm nga ana e BE-së, sot të dyja vendet kanë celur procesin e negociatave dhe kanë hedhur një hap shumë para, në 6 dhjetor do të mbahet samite i BE me Ballkanin Perëndimor dhe do jemi së bashku me të gjitha dëshirat, problemet dhe sfidat tona që janë gjithnjë e më të njëjta me ato të BE dhe është koha për të projektuar të ardhmen duke kërkuar së bashku nga BE që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në përpjekjen e organizuar për t’i rezistuar rritjes së çmimit qoftë edhe inflacionit”, tha kryeministri Edi Rama.

Janë parashikuar rreth 20 marrëveshje dhe memorandume që do të nënshkruhen pas përfundimit të fjalimeve të dy kryeministrave dhe diskutimeve të të gjithë anëtarëve të kabineteve që janë parashikuar të jenë të hapura për mediat.

“Dhe nga Shkupi, ku do të zhvillojmë mbledhjen e dy qeverive e do të finalizojmë një sërë marrëveshjesh e memorandumesh ndërqeveritare Shqipëri – Maqedoni e Veriut, ju uroj një javë të mbarë”, komentoi heret Rama në rrjetet sociale pas mbërritjes në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Mes dy qeverive, do të nënshkruhet një program bashkëpunimi mes dy ministrive të arsimit për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencën për një periudhë 3- vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do të jenë memorandume mirëkuptimi për transformimin digjital, për politikat sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve, memorandume që do të nënshkruhen pothuaj për çdo dikaster.

Marrëveshje të kësaj natyre, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar dhe si pjesë e nismës Open Balkan, por në këtë rast janë marrëveshje trepalëshe ku janë të angazhuara dhe autoritetet e Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë