Politike

‘Shqipëria aleate e përjetshme e Kosovës’, Hasani: Sulmi në Banjskë akt terrorist, fqinjit nuk i çohet më ushtri në kufi!

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani gjatë konferencës së përbashkët në Prishtinë me homologen Donika Gërvalla u shpreh se Kosova ka një aleat të përjetshëm, që është Shqipëria.

Ai shtoi se rajoni është duke kaluar një moment delikat, sa i përket sigurisë dhe stabilitetit dhe dënoi ashpër sulmin e dhunshëm të orkestruar e të armatosur që ndodhi kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit të shkuar në Banjskë.

“Ishte akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit dhe pavarësisë së Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme”, tha Hasani.

Hasani pati edhe një mesazh për Serbinë dhe kërcënimet e saj përmes dërgimit të ushtrisë pranë kufirit me Kosovën.

“Kosova ka një aleat të përjetshëm dhe të padiskutueshëm që është Shqipëria. Në të mirë dhe në të keq Shqipëria do të jetë këtu pranë Prishtinës dhe pranë shqiptarëve të Kosovës. Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon dhe në kufi të Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21, se nuk i çohet ushtri më të kufiri fqinjëve dhe askush nuk duhet të vazhdojë më këtë lojë që është qesharake. Të gjithë e kemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës është NATO ku edhe Shqipëria është pjesë”, tha ministri Hasani.

Gërvalla u shpreh se kanë rënë dakord se “vetëm unifikimi dhe bashkërendimi i politikave dhe qëndrimeve tona na bëjnë më të fuqishëm në arenën ndërkombëtare dhe sjell rezultatet konkrete për qytetarët e dy vendeve tona”.

Ajo u shpreh se masat e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta ndërsa kërkoi nga BE që ta ulë Serbinë në tavolinën e diskutimit dhe të pranojë të nënshkruajë draftin e ri për Asociacionin. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë