Në mediat britanike është raportuar ditët e fundit se emigrantët e paligjshëm që kapen në Britaninë e Madhe do të strehohen nga Shqipëria dhe këtu, sipas raportimeve të këtyre mediave nuk bëhet fjalë vetëm për ata shqiptarë.
“The Sun” raporton se të gjithë emigrantët e paligjshëm që kapen duke kaluar kanalet me varka të vogla nga Franca, do të ndalohen dhe do të dërgohen në Shqipëri, në kuadër të menaxhimit të krizës së re të azilkërkuesve. Sipas “The Sun”, zyrtarët në Londër dhe në Shqipëri janë në bisedime për të nënshkruar marrëveshjen që e lejon Britaninë të dërgojë emigrantët e paligjshëm për strehim në Shqipëri.
Duke cituar burime pranë ministrisë së Brendshme britanike, “The Sun” shkruan se “sekretarja e Brendshme Priti Patel e ka bërë të qartë se dëshiron që kjo marrëveshje të arrihet. Negociatat janë në një fazë teknike. Deri tani janë përcaktuar vetëm detaje si vendndodhja dhe numrat e saktë”.
Por, nga Qeveria shqiptare këto pretendime janë hedhur poshtë.
“Lajmi se Shqipëria do të ngrejë një qendër azilantësh për llogari të palëve të treta është absolutisht i pavërtetë. Shqipëria hapi dyert për 4 mijë afganë, e jemi krenarë për këtë. Ne bëjmë detyrat tona karshi traditës e fëmijëve tanë, jo detyrat e atyre që janë më të mëdhenj e më të pasur se ne”, shkruan drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga.
Vetëm në korrik të këtij vitit, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të re me Britaninë e Madhe për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që kapen ilegalisht, ose atyre që u përfundon dënimi me burg në Angli.
Marrëveshja solli në Tiranë në një vizitë të beftë ministren britanike të Brendshme, Priti Patel për ta nënshkruar atë së bashku me homologun, Bledi Çuçi. Ajo redukton kohën dhe lehtëson procedurat e riatdhesimit për këto dy kategori.
Sipas marrëveshjes, pala shqiptare do të mbulojë një pjesë të kostove të riatdhesimit, ndërsa ajo angleze merr përsipër në raste të veçanta shoqërimin me roje sigurie, apo personel shëndetësor të personit apo personave që do të dëbohen.
Sipas ministrisë së brendshme angleze Home Office nga muaj prill deri në korrik janë dëbuar 250 shtetas shqiptarë me precedentë penal. Statistikat britanike thonë se deri në mars të këtij viti, numrii të burgosurve shqiptarë në Britani ishte rreth 1600 vetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje