Politike

Shqipëria hap debat për llogaridhënien në OKB, Rama: Pandëshkueshmëria të bëhet histori

Llogaridhënia është debati i parë i hapur nga Presidenca shqiptare në Këshillin e Sigurimit, edhe përmes mesazhit që përcolli Kryeministri Edi Rama në fjalën e tradicionale të marrjes së Presidencës.

“Zbatimi i së drejtës ndërkombëtare dhe i Kartës së OKB-së, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe mbështetja e sistemit të OKB dhe i veprimit shumëpalësh janë në zemër të politikës së jashtme shqiptare e po kështu janë përparësitë kryesore të mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit”, tha Rama.

Jetojmë në kohëra, vijoi Kryeministri, ku konfliktet dhe pasojat shkatërrimtare që ato kanë mbi civilët dhe infrastrukturën civile janë bërë më të kudogjendura dhe më vdekjeprurëse.

“Dëmi shkatërrimtar për civilët, përfshi edhe nivelet alarmuese të pasigurisë ushqimore që mund të çojnë me gjasë në një uri të pashembullt në jetën tonë, e bëjnë nevojën për një llogaridhënie më efektive, një çështje kyçe për Kombet e Bashkuara dhe vendet e saj anëtarë”, tha ai.

“Vënia përpara përgjegjësisë për krimet, për shkeljet masive, përshi llogaridhënien e individëve në kuadër të së drejtës penale, është kyçe për të rivendosur besimin e publikut tek drejtësia dhe te institucionet e sigurisë përfshirë Këshillin e Sigurimit dhe për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe një paqe të qëndrueshme”, vijoi Rama.

Së pari, thotë Rama, të rritet roli i bashkësisë ndërkombëtare për të vënë para përgjegjësisë shtete dhe ato që veprojnë për llogari të tyre për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Së dyti, sipas Kryeministrit, të forcohen mekanizmat e llogaridhënies jo vetëm në nivel shtetëror, por po kështu në atë rajonal dhe ndërkombëtar.

Së treti, ai rendit orientimin e vëmendjes tek viktimat, “Të përcaktojmë të vërtetën për krimet ndërkombëtare dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare është thelbësore për të vënë në vend të drejtat dhe dinjitetin e viktimave dhe të afërmve të tyre. Është po kështu kritike për të çuar më përpara paqen dhe pajtimin”.

“Duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për t’u riangazhuar ndaj normave dhe vlerave themelore dhe të dyfishojmë përpjekjet për të zbatuar përputhshmërinë dhe respektimin e ligjit. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi që ta bëjmë botën gjithnjë e më të vogël për shkelësit duke përdorur mjetet dhe mekanizmat e llogaridhënies përmes drejtësisë. Pandëshkueshmëria duhet të mbetet histori”, mbyllet mesazhi i Ramës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë