Shqipëria i kërkon Serbisë që të tërheqë menjëherë forcat ushtarake të grumbulluara pranë kufirit me Kosovën dhe dënon sulmet ndaj zyrave të shtetit të Kosovës në veri te vendit.
Reagimi i parë zyrtar për situatën e krijuar pas vendimit të qeverisë “Kurti” për reciprocitetin e targave ka mbërritur nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.
“I bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën dhe të punojë për çtensionim të menjëhershëm të situatës. Ne i nxisim të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull me frymën e bashkëpunimit”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë, Ministria e Jashtme shpreh shqetësimin për grumbullimin e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën dhe thotë se këto veprime po nxisin aktet e dhunës së serbëve në territorin e Kosovës.

“Shqipëria është veçanërisht e shqetësuar për dërgimin e forcave të armatosura serbe pranë kufirit me Kosovën dhe mjetet fluturuese ushtarake të cilët fluturojnë afër dhe sipër hapësirës ajrore të Kosovës, të cilat nxisin individët të provokojnë trazira dhe dhunë, si dhe synojnë destabilizimin e Kosovës. Këto akte bien ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kanë për synim të sigurojnë rendin dhe stabilitetin në atë pjesë të rajonit”, thotë deklarata.
Shqipëria, vijon mesazhi i Ministrisë së Jashtme, mbetet e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për dialog e bashkëpunim në përpjekjet e saj përr dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Deklarata e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë thotë gjithashtu se dënon “aktet vandale, ku disa individë u vunë zarrin zyrave të regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok”.
Serbia ka përqëndruar një numër në rritje të xhandarmërisë dhe ushtrisë së saj në veri të Kosovës, madje duke patrulluar edhe me helikopterë, ndërkohë që pamjet e publikuara në disa media serbe tregojnë edhe zhvendosje të tankeve pranë pikave të kalimit kufitar të Jarinës dhe Bërnjakut, që vijojnë të mbeten të mbyllura për shkak të protestës së banorëve serbë të Kosovës kundër vendimit për reciprocitet të targave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje