Edhe Shqipëria mendon hapjen e Ambasadës në Jeruzalem, por nuk e ka marrë ende si vendim për shkak të lidhjeve të forta me Turqinë. Kështu është shprehur Kryerabini i Shqipërisë dhe Kosovës, Yoel Kaplan.
Kaplan ka folur për mediat izraelite që kanë shfaqur një interes të madh për Shqipërinë dhe shqiptarët pas marrëveshjes së nënshkruar në Uashington, ku Kosova premtoi hapjen e Ambasadës në Jeruzalem në këmbim të njohjes nga Izraeli.
“Besoj se edhe Shqipëria së shpejti do të ndjekë Kosovën dhe të hapë Ambasadën në Jeruzalem, sepse kjo është ajo çfarë dëgjoj nga njerëzit në Qeveri, por për momentin ka sfida për shkak të lidhjeve me Turqinë”, citohet Kaplan nga gazeta izraelite “Hayom”.
Kryerabini ka folur edhe për situatën në të cilën ndodhen hebrenjtë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Ai thotë se shqiptarët janë shumë tolerantë dhe hebrenjtë nuk ndjehen të kërcënuar as në Shqipëri dhe as në Kosovë.
“Është vend (Kosova) me shumicë islame, por praktikojnë një islam shumë të moderuar”, thotë Kryerabini.
Ndërkohë, mediat izraelite shkruajnë gjithashtu se oferta e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jeruzalem në këmbim të njohjes së Pavarësisë nga ky i fundit qëndron në tryezën e qeverisë izraelite prej vitesh, por vetë Izraeli është treguar i kujdesshëm për të mos prishur balancat në diplomacinë e jashtme dhe miqësinë me Serbinë.
Izraeli kërkon që si kryqytet i vendit t’i njihet Jeruzalemi, i ndarë mes hebrenjve dhe arabëve. Por, pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë këtu vendet e Bashkimit Europian dhe Shqipërinë, njohin Tel Avivin si kryeqytet. Deri në maj të 2018-ës edhe SHBA njihte këtë qytet, por një vendim i Donald Trump i ndryshoi gjërat dhe Ambasada Amerikane u zhvendos nga Tel Avivi në Jeruzalem.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje