Politike

Shqipëria merr drejtimin e KS të OKB, Rama: Të privilegjuar që po u japim zë bindjeve tona

Gazeta Si – Shqipëria merr këtë të mërkurë, 1 qershor 2022, për herë të parë në historinë e saj drejtimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në Nju Jork ndodhet kryeministri Edi Rama që në një mesazh të shpërndarë për këtë ngjarje theksoi se demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës.

“Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort”, – shprehet Rama.

Ai nënvizoi luftën në Ukrainë duke theksuar se ne nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.

Rama tha se edhe tryeza e parë nën drejtimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit do të jetë për “forcimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”.

Kreu i qeverisë shprehet se më 2 qershor ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në presidencën e saj të parë do t’i kushtohet  “Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”.

“Kjo është dekada e tretë e mijëvjeçarit të tretë. Bota është e trazuar dhe ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të mizorive të papërshkrueshme, në më shumë se pesëdhjetë konflikte përreth globit. Demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës.

U bë shumë gjatë që shohim abuzime masive me të drejtat e njeriut, nga Darfuri në Mianmar, nga Afganistani në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të rënda para përgjegjësisë”, tha Rama.

Sipas tij, në Europë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura.

“Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.

Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh.

Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, pjesën tonë për të përmbushur”, shtoi ai.

Kryeministri deklaron se kjo është arsyeja pse ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në presidencën e saj të parë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kem nderin të kryesoj më 2 qershor, i kushtohet “Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”.

“Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit. Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht.

Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim.

Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort”, përfundon Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë