Shqipëria do të marrë nga 1 qershori Presidencën njëmujore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe me këtë rast, këtë të hënë nisen drejt Nju Jorkut Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.
Paraditen e 2 qershorit, kryeministri Rama do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, të theksuar edhe më shumë për shkak të agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.
“Vënia para përgjegjësisë e shkelësve të ligjit ndërkombëtar, qofshin shtete apo individë, kërkon bashkëpunim të fortë të gjithë shteteve paqedashëse, duke filluar me anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Debati i kryesuar nga Kryeministri Rama shënon fillimin e zbatimit të planit të punës të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Kryeministria.
Takimet e kryesuara nga KM Rama do të pasohen nga disa veprimtari të tjera shënjuese, përgjatë muajit qershor përfshirë në nivel Ministror.
Kjo është hera e parë që Shqipëria mban presidencën e KS gjatë mandatit të saj dyvjeçar në Këshill. Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Rama dhe Xhaçka do të priten në takime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres si dhe nga ambasadorja e SHBA pranë OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, takim ky në kuadër të bashkëpenësisë që Shqipëria dhe SHBA kanë lidhur për çështjen e Ukrainës.
Presidenca e Këshillit të Sigurimit ndryshon çdo muaj me rotacion mes 15 vendeve anëtare të Këshillit. 10 vende janë anëtare të përkohshme, siç rasti I Shqipërisë, ndërsa pesë janë të përhershme dhe me të drejtë vetoje. Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje