Lajme

Shqipëria ndalon fluturimet e avionëve “Boing 737-8 e 737-9 MAX”

Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar ka vendosur sot të ndalojë fluturimet e avionëve “BOING 737-8 dhe 737-9 MAX” duke iu bashkuar kështu Agjencisë Europiane të Sigurisë në Operim të Aviacionit (EASA).
Autoriteti i Aviacionit Civil bën me dije se vendimi i EASA vjen pas aksidentit fatal të avionit tip Boeing 737 Max 8 të shoqërisë ajrore “Ethiopian Airlines”.
Gjithashtu, AAC raporton se asnjë avion i tillë nuk do operojë në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza, në asnjë nga linjat e programuara të fluturimeve.

“Për t’ju bashkuar nismës së EASA për këtë rast, AAC ka formalizuar lëshimin e një NOTAMi (lajmërimi për operatorët) nga ana e Albcontrol, i cili ndalon operimin e avionëve të këtij lloji në hapësirën ajrore shqiptare dhe Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, për një kohë të pacaktuar, deri në direktivat pasuese të EASA, të cilat do të varen nga informacioni që do të vijë nga hetimi i shkaqeve të aksidentit në Kenia”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Civil shqiptar.
Gjithashtu edhe Kosova mori të martën (12 mars) vendimin për anulimin e fluturimeve të avionëve.

Kompania amerikane e prodhimit të avionëve për transport, “Boeing” që është edhe një prej më të mëdhave në këtë treg, është vënë në qendër të kritikave pas incidentit të fundit, kur modeli i saj “Boeing Max 8”, i “Ethiopian Airlines” u rrëzua duke vrarë të 157 personat në bord. Aksidenti ishte i dyti në pesë muajt e fundit dhe ekspertët kanë nisur të heqin paralele mes tragjedisë etiopiane me atë të ndodhur në Indonezi me kompaninë “Lion Air”.
Kompania “Ethiopian Airlines” thotë se fluturimi ET302 u rrëzua në orën 08:44 minuta me orën lokale ditën e dielë, vetëm gjashtë minuta pasi ishte ngritur për fluturim nga aeroporti i kryeqytetit Addis Ababa. Destinacioni ishte Nairobi në Kenia. Para rrëzimit, piloti kishte raportuar probleme në manovrimin e mjetit dhe kishte kërkuar rikthimin në Addis Ababa. Kompania nuk përjashton as mundësinë e një gabimi të pilotit, por e minimizon këtë mundësi nisur nga jetëshkrimi i tij, me mbi 8 mijë orë fluturim dhe pa asnjë incident.
Për disa ekspertë të sigurisë së transportit ajror, dy aksidente brenda 5 muajve ku përfshihet i njëjti model avioni i kompanisë “Boeing” janë shumë. Ata thonë se kompania ka neglizhuar sigurinë për të ulur kostot e prodhimit të mjetit, duke vënë në rrezik jetën e mijëra personave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë