Ambasadori Ferit Hoxha zhvilloi sot(1 qershor) një fjalim në konferencën e parë të presidencës shqiptare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Qershori konsiderohet tradicionalisht një muaj i ngarkuar. Ky vit nuk bën përjashtim. Programi i Punës për muajin qershor është i ngjeshur. Sot kemi ngrënë mëngjesin tonë tradicional të Përfaqësuesve të Përhershëm dhe më vjen mirë të raportoj për mbështetjen e plotë të të gjithë anëtarëve të Këshillit për programin e punës. Dëshiroj të falënderoj homologët e mi për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. Prioritetet e Shqipërisë për muajin i bashkohen prioriteteve tona të përgjithshme për mandatin tonë në Këshill dhe janë të lidhura ngushtë me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit”, tha Hoxha.
Hoxha është ndalur edhe në debatin mbi llogaridhënien që do të drejtojë ditën e nesërme kryeministri Edi Rama.
“Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare” nën pikën e rendit të ditës Ruajtja e Paqes dhe Sigurisë. Debati i Hapur do të zhvillohet nesër, i cili do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Prania në këtë nivel tregon se sa e rëndësishme është kjo temë për Shqipërinë dhe shpresojmë edhe për të gjithë anëtarët e tjerë. Ruajtja e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë si dhe prioritetet kryesore gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit. Për një kohë të gjatë, ne kemi parë abuzime masive të të drejtave të njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda.
Ne nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.
Ka një urgjencë për të vepruar, tani, në emër të viktimave të panumërta të konflikteve të pakuptimta:o për gratë e dhunuara të Kosovës, o për nënat e pikëlluara të Bosnjës, o për fëmijët e Ukrainës, o për viktimat pa emër në Tigray, o për Azara në Afganistan, o për Yazidët në Irak, o për Rohyngias, o për të burgosurit politikë në Myanmar dhe në Sudan, o për të arrestuarit në Siri o për të gjithë gazetarët e vrarë në krye të detyrës; o për këdo, kudo, të cilëve u janë mohuar të drejtat, e ardhmja e të cilëve është varrosur, ëndrrat e të cilëve janë shkatërruar nga abuzimi”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje