Komunitet

Shqipëria po hedh valle mbi Covid

Pas një viti kufizimesh të egra të lëvizjes nga vendet europiane, gushti solli në vendlindje emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë kryesisht në vendet e Bashkimit Europian, e bashkë me të edhe dasmat. Në të gjithë rrugët e vendit ka rënë në sy rikthimi i autokolonave me makinat e krushqëve. Një autokolonë e tillë në gëzim e sipër bllokoi madje edhe autostradën duke hedhur valle në mes të rrugës.

…dhe nuk është kjo pasoja më e rëndë e haresë së dasmave në Shqipëri. Bashkë me tingujt e muzikës popullore këtë gusht nuk kanë kërcyer vetëm dasmorët, por edhe varianti Delta i Covid.

Gazeta Si sjell rastin e dy dasmave të zhvilluara në fillim të muajit gusht, që u shndërruan në vatra infektimi dhe përhapjeje të virusit. Çiftet jetojnë e punojnë në Itali dhe Greqi, ndërsa në Shqipëri kishin ardhur për pak ditë për të zhvilluar dasmat në mënyrën tradicionale dhe për t’u rikthyer sërish në vendet e tyre të punës.

Të afërm të pjesëmarrësve në këto dasma konfirmojnë për Gazetën Si se në një rast me të mbërritur në Itali dhëndëri dhe të afërm të tjerë të tij kanë rezultuar pozitivë me variantin Delta të Covid gjatë testimeve në hyrje. Një pjesë e tyre kanë shfaqur edhe simptoma, si të vjella e diarre.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me emigrantët që janë rikthyer në Greqi pas pjesëmarrjes në këto dasma. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të vaksinuar, kryesisht me Pfizer e Johnson&Johnson.

Gazeta Si mund të konfirmojë se numri i personave që kanë rezultuar pozitivë vetëm në këto dy dasma shkon në të paktën 15 persona, ndërsa simptoma si ethe, të vjella e diarre kanë shfaqur edhe shumë pjesëmarrës të tjera jetojnë në Shqipëri, por që nuk janë testuar dhe nuk numërohen zyrtarisht si të infektuar.

Duke u nisur nga fakti që varianti Delta në kushtet e respektimit të masave minimale të parandalimit të tij përhapet në të paktën pesë vetë, pra një person infekton pesë të tjerë, mund të hamendësohet se vetëm në këto dy dasma numri i të infektuarve shkon në të paktën 75 persona.

Masat në fuqi nuk respektohen

Dasmorët janë dëshmitarë dhe kontribues të shkeljes me të dyja këmbët edhe të atyre pak masave shtrënguese që janë në fuqi në Shqipëri, ku nuk është respektuar as kufizimi i orarit deri në mesnatë, as prania jo më shumë se e 50 vetave dhe as distanca minimale mes të pranishmëve.

Komiteti i Ekspertëve ishte në dijeni të moszbatimit të këtyre masave dhe në daljen e kësaj të mërkure, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se komiteti mendonte se zbatimi i tyre ishte i mjaftueshëm për të përballuar situatën.

“Situata mund të kontrollohet me të njëjtin nivel masash, por duke i zbatuar ato. Maska në të gjitha ambientet e mbyllura dhe në ambiente ku nuk sigurohet distancimi social. Grumbullimet në ambiente të jashtme deri në 50 persona, rregullat e distancimit social dhe zbatimit me rigorozitet të protokolleve, ora policore mbetet në fuqi, muzika deri në orën 23:00. Lejohen kampionatet sportive me prani të 30 për qind të tifozëve. Lejohen aktivitetet kulturore e sportive me 30 për qind të kapaciteteve”, tha ajo.

Masat jo vetëm që shkelen, por transmetohen edhe në media, si në rastin e festës së birrës në Korçë. Nga pamjet e shpërndara për 4 ditë me radhë në media vihet re lehtësisht se në ambientet publike nuk ishte respektuar as kufizimi i tubimit të 50 vetave, as distancimi fizik i tyre dhe as ndalimi i muzikës pas orës 23:00.

Komiteti tha se ka rritje të rasteve të reja në moshat 35 deri në 65 vjeç. Pozitiviteti ditën e martë, pra numri i personave të infektuar në raport me testimet e kryera brenda 24 orëve u rrit në mbi 15 për qind. Sa për krahasim, po të martën pozitiviteti në Izrael, vend që ka vaksinuar plotësisht mbi 80 për qind të popullsisë dhe ka nisur shpërndarjen e dozave përforcuese të treta për popullsinë, pozitiviteti ishte 6.3 për qind.

Shifra është konsideruar alarmante në këtë vend që ka rikthyer mbajtjen e maskave me detyrim në publik dhe ka bërë me detyrim vaksinimin për disa kategori.

Por, Komiteti mendon se në Shqipërinë me më shumë se dyfishin e pozitivitetit në krahasim me Izraelin dhe me vetëm 27 për qind të popullsisë së vaksinuar me të dyja dozat maska me detyrim në publik dhe detyrimi i vaksinimit nuk janë të nevojshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë