Sport

Shtangisti kuqezi del pozitiv me doping, rrezikon përjashtimin

Gazeta Si – Ka rezultuar pozitiv në testet anti-doping një nga shtangistët e Kombëtares shqiptare. Bëhet fjalë për Herlsion Ismailajn, një nga ata që konkurruan në Europianin e pak ditëve më parë në Tiranë. Shtangisti rrezikon përjashtimin.

Sportisti 24-vjeçar ka bërë kontrollet përkatëse përpara Europianit dhe ka dalë pozitiv. Ismailaj stërvitet në Greqi. Ai përfaqësoi Shqipërinë në Europian, në peshën deri 67 kilogramë.

Foto ilustruese. Gazeta Si, 10 qershor 2022

Sipas presidentit të FShP-së, Elez Gjoza, testet u kërkuan nga vetë federata para Europianit. Emri i substancës së ndaluar që ka përdorur shtangisti nuk bëhet i ditur për momentin.

Bordi Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes do të mblidhet për këtë çështje dhe do të vendosë për masën ndëshkimore. Gjasat janë që dënimi të jetë maksimal, deri në përjashtim nga peshëngritja.

Shtangisti Ismailaj ka të drejtën ta çojë çështjen në apel. Ai ngriti 118 kilogramë në shkëputje dhe 145 kilogramë në shtytje, por kuptohet që gjithçka njolloset nga dopingu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë