Roma urdhëroi sot dëbimin e dy zyrtarëve rusë, nën dyshimet për spiunazh. Vendimi vjen pasi policia italiane ka arrestuar një kapiten të Marinës italiane, së bashku me një zyrtar ushtarak rus, në lidhje me rastin e spiunimit.
Ministria e Jashtme e Italisë njoftoi më vonë se ka thirrur në një bisedë ambasadorin rus, Sergei Razov. Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, tha se ka informuar ambasadorin për “dëbimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve rusë, të përfshirë në këtë incident jashtëzakonisht të rëndë”.
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve anëtare të NATO-s janë tensionuar nga disa skandale të spiunimit në vitet e fundit. Ambasada e Rusisë në Romë fillimisht tha se një punonjës i zyrës së atasheut të saj ushtarak është arrestuar.
Presidentit rus, Vladimir Putin ka reaguar thënë se shpreson se lidhjet me Italinë do të mbeten konstruktive dhe pozitive, pavarësisht skandalit.
Gazeta italiane “Corriere della Sera” raportoi se zyrtari i ndaluar rus, i cili ka punuar në Ambasadën ruse, është urdhëruar të largohet së bashku me një epror.
Gazeta po ashtu tha se kapiteni italian, i cili është arrestuar duke i dorëzuar dokumente sekrete zyrtarit rus, ka poseduar jo vetëm dosje italiane, por edhe “dokumente shumë sekrete të NATO-s”, duke vënë kështu në rrezik jo vetëm sigurinë e Italisë, por edhe të vendeve të tjera.
Policia tha se oficeri italian është dërguar në paraburgim. Javën e kaluar, edhe Bullgaria ka dëbuar dy diplomatë rusë. /Correre della Sera/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje