Futboll

Shtohen shqiptarët e Serisë A, ngjitet Breshia e Emanuele Ndojt

Një tjetër futbollist shqiptar do të luajë në Serinë A sezonin e ardhshëm. Ai është mesfushori i Kombëtares, Emanuele Ndoj, i cili është ngjitur zyrtarisht në Serinë A me Breshian e tij, pas fitores 1-0 me Askolin. Breshia mban vendin e pare, me 66 pikë. Një kampionat i suksesshëm për këtë skuadër, që ka dominuar Serinë B dhe pas 8 vitesh është kthyer në elitë, ndërsa futbollisti shqiptar ka qenë protagonist me lojën dhe golat e tij.

Stadiumi “Rigamonti” ishte mbushur plot disa orë para ndeshjes me Askolin, që pritej ta zyrtarizonte Breshian në nivelin më të lartë të futbollit italian. Duhej fitorja që llogaritë të mbylleshin dy javë para fundit të kampionatit dhe kështu ka ndodhur në këtë ndeshje, ku Ndoj nuk ishte i disponueshëm. Goli i Desenës në pjesën e parë mjaftoi që skuadra e drejtuar nga trajneri Euxhenio Korini të merrte tri pikët dhe në stadium të shpërthente festa. Një ditë historike për Breshian, ndërsa tifozët nuk kanë rreshtur së brohorituri në kor emrin e trajnerit Korini, të cilin e konsiderojnë arkitektin e suksesit. Sapo arbitri sinjalizoi fundin e ndeshjes, gjithë stoli i Breshias vrapoi drejt fushës dhe më pas, bashkë me lojtarët, kanë festuar me tifozët, të cilët mbanin në duar gërmën “A” në përmasa gjigante.

Emanuele Ndoj (numri 6), duke festuar për ngjitjen e Breshias në Serinë A

Sezonin e ardhshëm do të kemi një shqiptar “të ri” në Serinë A. Emanuele Ndoj, i konsideruar një nga shtyllat e mesfushës, bashkë me Tonali të kombëtares italiane, do të ketë shansin e artë të bëjë hapin e madh në karrierë, duke shfaqur vlerat më të mira me Breshian në elitën e futbollit italian. Paraqitja e mirë gjatë këtij sezoni ka bërë që për Ndojn të ketë interesim të klubeve të tjera, por vështirë se Breshia do ta lëshojë tani, pas ngjitjes në Serinë A. Shanse për t’u kthyer në këtë kategori ka edhe mesfushori tjetër kuqezi, Ledian Memushaj, që do të marrë pjesë në “play-off” me Peskarën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë