Konferenca e Donatorëve, ku do të përfshihet në organizimin e saj edhe Bashkimi Europian, Presidenca kroate e tij dhe Komisioni Europian do të zhvillohet më 17 shkurt në Bruksel.
Data është bërë publike nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç.
“Do të zhvillojmë Konferencën e Donatorëve më 17 shkurt për të ndihmuar Shqipërinë me pasojat shkatërruese të tërmetit dhe ne duam të ndihmojmë Shqipërinë më 17 shkurt”, deklaroi Presidentja e KE-së.
Deklarata e Presidentes së Komisionit u përforcua më vonë nga një postim në rrjetet sociale i kreut të zyrës së BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
“Konferenca e donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet për rindërtim pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit të kaluar do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt 2020”, shkruan ai.
Data përkon me ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama më herët ka dhënë si afat kohor muajin janar për zhvillimin e kësaj konference, në varësi të së cilës ka deklaruar gjithashtu se varet edhe sesi do të veprohet me programin e rindërtimit.
Turqia: Ndërtojmë 500 banesa për 6 muaj
Ndërkohë, po gjatë kësaj të premteje, ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum deklaroi se 500 banesat e premtuara nga Turqia pritet që të jenë gati brenda 6-muajve.
“500 banesat nëse i fillojmë në fund të janarit dhe duam që brenda 6 muajve ta përfundojmë këtë projekt dhe t’ua dorëzojmë vëllezërve shqiptarë”, tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj.
Nga ana e tij, Ahmetaj tha se procesi i rindërtimit po ecën me ritme të shpejta, ndërsa u shpreh se Qeveria po vlerëson zonat e tjera ku do të ndërtohen pallatet për të strehuar pjesën tjetër të banorëve.
“Qeveria po vlerëson sajtet e tjera ku do të ndërtohen zonat urbane në Durrës, Tiranë, Kavajë, Thumanë apo Krujë dhe Lezhë. Deri në fund të vitit të gjitha familjet në fshat të jenë në shtëpitë e reja. Në pranverën e 2021 të shohim lagjet e reja dhe akomodimin e atyre familjeve që janë me qira, apo nëpër çadra”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje