Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është paraqitur në Gjykatën për Krimet e Rënda, pasi në fillim të janarit ankimoi vendimin e Prokurorisë për zgjatjen e afateve kundër tij. Tahiri u paraqit në gjykatë i shoqëruar nga avokati mbrojtës, Maks Haxhia.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor siç raportohet nga organi i akuzës, ndërkohë që Tahiri mësohet të jetë shprehur se tashmë nuk ka më sekret hetimor, pasi Prokuroria ka nxjerrë lajme të pafundme mbi rastin e tij.
“Pas një vit e gjysmë nuk ka më sekrete, prokuroria ka nxjerrë lajme për dosjen time me sms në media, por nuk di ca sekreti ka më kjo dosje”, është shprehur Tahiri.
Pas përfundimit të seancës në Gjykatën për Krimet e Rënda, ish-ministri Tahiri deklaroi se do vazhdojë të presë deri në fund edhe pse gjithçka ka kapërcyer limitet.
“Nuk më ka humbur durimi, kam një vit e disa muaj që pres, pa komentuar asnjë vendim të prokurorisë, por pres t’i shkoj drejtësisë deri në fund, pa bërë sikur kanë bërë të tjerët para meje që janë hetuar për vrasje dhe vjedhje. Gjithçka që po ndodh e ka kapërcyer çdo limit të kohës kur mund të bëhet një hetim. Një gjendje e tillë mjegullnaje nuk mund të vijojë më. Hetimet janë zgjatur pesë herë, ka kaluar çdo afat i arsyeshëm, zgjedhja duhet të marrë zgjidhje në një mënyrë apo tjetër. Drejtësia e vonuar nuk është më drejtësi, e nëse kjo ndodh me mua, imagjinoni se çfarë ndodh me të tjerët, që përplasen para gjykatave, bërtasin. Unë nuk mbahem peng nga askush, kam respektuar drejtësinë, pavarësisht se besoj se është sakrificë nga ana ime ta respektoj”, u shpreh ish-ministri Tahiri.
Tahiri deklaroi se seanca u shty për të hënën, pasi gjykata kërkoi dokumente që prokurorët nuk i kishin. Sipas tij, prokuroria po zgjat hetimet, pasi nuk di si ta mbyllë këtë çështje.
“Seanca u shty, pasi gjykata kërkoi dokumente që prokurorët nuk i kishin. Kjo çështje është shtyrë 5 herë, ka humbur sensin. Unë akuzohem për trafik ndërkombëtar droge dhe në Itali prokuroria e gjykata kanë thënë që ky njeri nuk ka lidhje, këtu zgjatet, pasi kam frikë se nuk dinë si ta mbyllin. Unë pres që prokuroria të vendosë në hetim personat që kanë nxjerrë informacionet. Në këtë vend që jemi ne, nuk kalon njeri pa marrë faturën e vet”, deklaroi ndër të tjera Tahiri.
Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi më 16 janar shtyrjen për herë të katërt me tre muaj të hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Shtyrja e hetimeve është bërë për kryerjen e disa verifikimeve shtesë që do të ndihmojnë lidhur me zbardhjen e çështjes. Katër prokurorët e çështjes kanë administruar përgjigjet e letërporosive të mbërritura nga Greqia, Italia dhe Mali i Zi.
Saimir Tahiri ka qenë në hetim nga prokuroria italiane prej datës 27 tetor 2017 me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj. Në përgjime flitej për 30 mijë euro që grupi Habilaj kishte për t’i dhënë një personi me emrin Saimir dhe bizhuteri gruas së tij. Pas hetimeve prej më shumë se një viti prokuroria italiane nuk gjeti prova që implikojnë ish-ministrin shqiptar të Brendshëm, duke kërkuar arkivimin ose mbylljen e çështjes, ndërsa në Shqipëri vijon që të jetë ende në hetim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje