Bota

Shumë nxehtë vera në Itali, Papa Françesku “freskon” me akullore 15 mijë të burgosur në Romë

Papa Françesku u dërgoi 15,000 akullore të burgosurve për t’i freskuar ata gjatë asaj që konsiderohet nga verat më të nxehta të regjistruara në Itali.

Akulloret u dorëzuan në dy burgjet e Romës – Regina Coeli në qendër të qytetit dhe Rebibbia në periferi – nga Kardinali Konrad Krajeëski.

Në një deklaratë, Vatikani tha se zyra bamirëse e Papës “nuk shkoi me pushime” këtë verë.

Dhurimi ishte një nga disa “gjeste të vogla ungjillore” të bëra gjatë verës “për të ndihmuar dhe dhënë shpresë për mijëra njerëz në burgjet e Romës”, thuhet në deklaratë.

Në qershor, rreth 20 të burgosur nga burgu Rebibbia u takuan me Papën para se t’i bashkoheshin atij për një vizitë në Muzetë e Vatikanit.

Zyra bamirëse e Vatikanit gjithashtu mblodhi grupe të vogla njerëzish të pastrehë “në det ose liqen … për një pasdite relaksi dhe darke në një piceri”.

Për më tepër, si pasojë e bamirësisë janë siguruar teste falas për Covid-19 dhe vaksinime për të pastrehët e Romës dhe ata në varfëri.

Kjo verë ka qenë një nga më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë në Itali, ku Sirakuza, një qytet në Sicili, regjistroi temperaturën 48.8 C (119.85F) në gusht, potencialisht temperatura më e lartë e regjistruar në Evropë.

Zjarret e mëdha të egra gjithashtu përfshinë rajonet jugore të Italisë dhe ishullin e Sardenjës, me temperaturat e larta dhe erëra të forta që penguan përpjekjet për t’i kontrolluar ato.

Krajeëski, 57 vjeç, u emërua nga Papa si misionar bamirës praktik, në vitin 2013.

Ai ka punuar në mënyrë diskrete, në pjesën më të madhe, për të varfërit për vite me radhë.

Sidoqoftë, në maj 2019 ai u kthye në titull lajmesh pasi përmes disa manovrash  riktheu energjinë elektrike në një ndërtesë në Romë, ku jetonin 250 të pastrehë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë