Në kampionatin italian duket sikur koha e lojës efektive është më e paktë se në kampionatet e tjera më të forta të Europës, por nuk është kështu. Përkundrazi, luhet më shumë në raport me Premier Ligën dhe Bundesligën (56 minuta e 54 sekonda kundrejt 56’27” dhe 56’34” respektivisht, në bazë të të dhënave të Optas). Në Francë topi lëviz mesatarisht 56’02” gjatë ndeshjes dhe në Spanjë 52’55”.
Ndryshon puna në Ligën e Kampionëve, ku koha efektive e lojës është 58 minuta e 54 sekonda, gati 3 minuta më shumë se në Serinë A. Ajo që ka rëndësi, në fakt, nuk është sa kohë luhet, por si. Pra, me çfarë shpejtësie lëviz topi, kur ai është në lojë. Dhe në raport me Italinë, në kampionatet e tjera lojtarët vrapojnë më shumë, me ritëm më të lartë dhe janë më agresivë, sepse janë të lirë në mendje dhe në këmbë.

Nuk mjafton ta kesh topin në këmbë, në Premier Ligë dhe në Bundesligë lojtarët janë më precizë, më kreativë dhe më të rrezikshëm. Sipas Optas, mesatarisht në Gjermani luhen 28 topa më shumë në një ndeshje në krahasim me Serinë A (1328 kundër 1300), në Premier Ligë 20 dhe në Ligën e Kampionëve 98.
Në Itali arbitrat vërshëllejnë mesatarisht 28 herë për ndeshje, në Angli 22, në Gjermani 25 dhe në Ligën e Kampionëve 24 herë. Në këto numra nuk përfshihen diskutimet e panumërta, që në Itali ndjekin çdo vendim arbitrar, si dhe zakoni për të qëndruar në tokë për minuta të tëra pas çdo goditjeje, apo dhe hedhja e topi jashtë çdo herë që një shok skuadre apo kundërshtar nuk ngrihet pas një përplasjeje.

Fabio Kapelo, i cili në karrierë ka fituar diçka, për këtë temë thotë: “Mendojmë se mund të fitohet vetëm me taktikë dhe zotërim topi, por është shumë e vështirë kur luan me skuadra me kualitet, intensitet dhe kurajë”. Argumentin e zhvillon më tej Mauricio Vishidi, koordinator i kombëtareve të moshave në Itali: “Ndryshimi mes futbollit italian dhe atij europian ka tre shpjegime: teknikë, taktikë dhe forcë fizike.
Teknika te ne është errësuar, si në sektorin e moshave, edhe në skuadrat e para. Thelbësore në futbollin modern janë pasimi dhe loja një kundër një, ne nuk e bëjmë këtë stërvitje. Të dish të gjuash topi nuk mjafton, duhet të dish ta pasosh dhe këtu ka një ndryshim të madh. Të bësh mirë do të thotë të njohësh kohët e lojës, që në Europë janë më të vogla se në Serinë A.
Në lojën një kundër një, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, kemi një mangësi të madhe. Ndoshta vetëm Atalanta e pranon këtë lojë kur mbron. Më thonë: ‘Nuk luajmë një kundër një, sepse lojtarët dëmtohen’. Po si do t’ia bëjnë të dielën për të dribluar kundërshtarin? Nuk është rastësi që nuk kemi më lojtarë që driblojnë kundërshtarin”.

Pse nuk punohet me teknikën? “Në sektorin e të rinjve, sepse shumë trajnerë duan rezultatin për të bërë karrierë. Për këtë qëllim ata mësojnë taktikën që fëmijë, duke lënë mënjanë teknikën dhe rrjedhimisht edhe rritjen e futbollistit”, – përgjigjet Vishidi. “Në skuadrën e parë pastaj nuk dihet si duhet ta bësh një ushtrim të rëndësishëm për të përmirësuar pasimin apo zotërimin e pozicionit.
Bëhet në Holandë, Gjermani, Spanjë, Angli, kurse te ne shumë pak. Nuk e kemi kuptuar se ushtrimi i zotërimit të topit i detyron futbollistët të bëjnë shumë pasime në pak kohë. Nëse teknika nuk është ajo që duhet, është e qartë që edhe loja është skarco”.
Kalojmë te taktika. “Bëhet shumë dhe analitike e demonstrative. Duket si një leksion në dërrasë, vetëm se dërrasa është fusha. U japim me mijëra informacione lojtarëve, shumë. Stërvitjet tona nuk kanë intensitet pikërisht për faktin se ndërpriten çdo 10 sekonda për të shpjeguar këtë apo atë gjë. Kështu një seancë stërvitore nuk ka ritëm. Pastaj punohet shumë për taktikën mbrojtëse dhe pak me atë sulmuese. Pra, vëmendjen e kemi të shkatërrojmë dhe jo të ndërtojmë.
Jashtë bëjnë më pak taktikë dhe mbi të gjitha e aplikojnë me parametrat realë të hapësirës, kohës dhe kundërshtarit, duke riprodhuar situata loje me ndeshjet 11 kundër 11 në fushë të hapur. Kështu stërvitja ka ritëm, intensitet dhe është kompetitive. Në Itali nuk e bën askush. Me ushtrimet nuk shkojnë kurrë përtej gjysmës së fushës, por si mund të mësohet një futbollist me atë që ndodh në një ndeshje të vërtetë? E përsëris, lojtarët tanë luajnë pak dhe dëgjojnë shumë”.
Në fund edhe aspekti fizik. “Përgatitësit tanë po dashurohen më shumë me instrumentet e kohës së vjetër. Përdorin telemetrin dhe GPS, por ka një princip thelbësor që quhet super-kompensim: në stërvitje duhet të shkosh përtej kuotës së lodhjes dhe mundimit për të pasur një përmirësim në lojë nëpërmjet adaptimit të trupit.

Në Itali është e vështirë që lojtarët të lihen përtej kësaj kuote. Kjo lloj pune ndikon edhe në kapacitetin psikologjik të lojtarit për të rezistuar dhe për t’u përgjigjur pozitivisht ndaj lodhjes dhe përgjegjësisë në ndeshje, për të ndihmuar një shok, duke bërë një vrapim pa top më shumë”.
Vishidi sjell në vëmendje Vinçenco Pinkolinin, krahun e djathtë të Arrigo Sakit te Milani i madh i fundit të viteve ’80, që tregoi se edhe në Itali mund të bëhet presing për 90 minuta. “Në 25 vitet e fundit është ideja se duhet zhvilluar forca, por forca ka pak të bëjë me futbollin. Mbi të gjithë nëse është forcë e ngurtë, që nuk koordinohet me shkathtësinë.
Është një sistem muskulor i ngurtë që nuk përkulet, por thuhet. Muskujt duhen, por në vendet e duhura. Thonë gjithmonë që në 40 centimetra, 20 sipër dhe 20 poshtë brezit, është gjithë futbolli: Vithet, për shembull, duhet të jenë të tonifikuara dhe elastike, sepse nga ato nis shpejtësia dhe lëvizja që të lejon të driblosh”.
Po palestra? “Të stërvitesh me intensitet të lartë, me dhe pa top, do të thotë të lodhesh shumë. Atëherë është më e lehtë të stërvitesh në palestër, ulur e shtrirë, me muzikë me zë të lartë”. Sot Pinkolini punon me Vishidin, si përgatitës atletik i kombëtareve të moshave. “Nga 14 në 16 vjeç mund të punosh si me plastelinën, deri në 19 vjeç mund të krijosh një makinë për të cilën je i sigurt se nuk do të prishet më pas.

Por këto fjalë janë të kota, nëse që në atë moshë e vetmja gjë që ka rëndësi është të fitosh. Në Europë 14 vjeç luhet për qejf, në Itali luhet për rezultatin. Nuk i ndërtojmë djemtë, por i hedhim në betejë pa qenë gati të luftojnë. Kur drejtonte kombëtaret, Saki mendonte për akademi brenda klubeve: nëse ke djemtë që studiojnë, ke më shumë kohë për t’i vënë në punë në fushë.
Një skuadër moshash në Belgjikë punon 10-12 orë më shumë në muaj. Pastaj janë edhe metodat: nëse stërvit një të ri gjithmonë në 15 metra, kur ai duhet të bëjë 100 me shpejtësi maksimale, do të ketë vështirësi. Nëse e përgatit në 100 metra, nuk do të ketë probleme ta bëjë këtë distancë. Frekuencë dhe gjerësi, janë koncepte që vijnë nga atletika”.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje