Politike

Si dilet nga emergjenca e pandemisë? 5 pikat e planit të Bashës

Themeli i planit të Partisë Demokratike për nxjerrjen e vendit nga emergjenca shëndetësore, sociale dhe ekonomike në të cilën e ka futur pandemia e koronavirusit janë testimet.

Lulzim Basha ka publikuar pesë pika, ku thotë se vetëm rritja e numrit të testimeve mundëson identifikimin real të të prekurve dhe frenimin e përhapjes së virusit.

“Izolimi i qytetarëve dhe bllokimi i ekonomisë na kushton qindra herë më shumë se rritja e numrit të testimeve”, deklaron kreu i PD-së.

Pas testimeve, pika e dytë është gjurmimi i burimit të infeksionit dhe i kontakteve të personit të infektuar.

“Duhet bërë gjurmim i plotë i burimit dhe i kontakteve të të prekurit. Testimi i mjekëve, policëve e personave në vijën e parë. Kjo kërkon burime njerëzore, trajnimin dhe përdorimin e kapaciteteve lokale shëndetësore”, deklaron kreu i PD-së.

Në pikën e tretë, Basha përsërit thirrjen për më shumë mjete mbrojtëse për sistemin shëndetësore në mënyrë që të garantohet, sipas tij, përballimi i fluksit të personave që kanë nevojë për trajtim në spitale.

Në pikën e katërt, Basha kërkon një vlerësim i saktë matës dhe vlerësues i efektshmërisë së masave kufizuese.

“Nëse ne e dimë çfarë impakti kanë ato – ulin, mbajnë konstant apo rrisin numrin e të infektuarve -atëherë do të kemi mundësi të reagojmë menjëherë në menaxhimin e situatës, duke i shtrënguar apo lehtësuar më shumë masat e marra”, thotë kreu i PD-së.

Pika e fundit lidhet me tranzicionin dhe rikthimin në normalitet. Ai propozon që të ndërgjegjësohen qytetarët dhe bizneset që në ambientet e punës do të duhet të garantohet distanca fizike prej 1.5 metra.

“Sa më shpejt të adoptohet kjo mënyrë e re aq më shpejt mund të rifillojë ekonomia dhe të reduktohet karantina. Qeveria duhet të mbështesë me fonde dhe lehtësira mënyrën e re të funksionimit të ekonomisë”, mbyll propozimin e tij kreu i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë