Kur njoftoi se Qeveria do të ndërhyjë te ujësjellësat për shkak të performancës së dobët të të gjitha bashkive, Kryeministri Edi Rama nuk sqaroi më shumë hollësi se cila do të jetë rruga e ndërhyrjes së pushtetit qendror në një sektor që ligji ja njeh për administrim e menaxhim pushtetit vendor.
Por, një rrugë ndërhyrjeje kreu i Qeverisë e ka njoftuar në qershor të këtij viti, kur ndodhej gjatë përurimit të ujësjellësit të ri të qytetit të Kamzës. Këtu, Rama njoftoi se “ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve do të grumbullohen në një të vetme, pak vite pasi u ndërmor reforma për decentralizimin e tyre dhe kalimin nën përgjegjësinë e bashkive”.
Kryeministri sinjalizoi se unifikimi i 61 ndërmarrjeve që funksionojnë sot në 61 bashkitë e vendit do të ndodhë sipas modelit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me dallim se në superndërmarrjen e re bashkitë do të jenë aksionere me aksione të ndara sipas peshës që zënë në treg.
“Nuk kemi pse kemi këto ndërmarrje ujësjellësi veç e veç. Duhet të kemi aksionerë që funksionojnë së bashku brenda një ndërmarrjeje. Me implementimin e reformës, Ujësjellës-kanalizimet do të funksionojnë si një i vetëm dhe nuk do të ketë me Ujësjellës-kanalizime në Tiranë, Ujësjellës-kanalizime në Kamëz, apo Ujësjellës-Kanalizime në Kavajë. Nuk kemi pse kemi këto ndërmarrje ujësjellësi veç e veç. Duhet të kemi aksionerë që funksionojnë së bashku brenda një ndërmarrjeje. Mund të bashkohen dhe të gjithë së bashku të jenë aksionerë”, tha Kryeministri.
Rama sqaroi se kjo nuk do të thotë se njerëzit e punësuar në këto ndërmarrje do të hidhen në rrugë, por do të shmangen abuzimet me punësimet në këtë sektor, që siç tha është përdorur për punësime nepotike dhe të militantëve partiakë.
“Ndërmarrja e ujësjellësit duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo një kope me thithlopa që fryhen me borxhet në kurriz të qytetarëve. Ujësjellësi ka qenë për të punësuar në shtet militantë, krushq, komshinj pa pasur parasysh se për çfarë janë krijuar dhe duhen këto ndërmarrje”, u shpreh ai.
Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve kanë raportuar prej vitesh humbje të mëdha dhe rritje të borxheve, aq sa kreu i Qeverisë deklaroi se sasia e tyre tejkalon edhe borxhet e gjetura të OSHEE-së kur nisi reforma në sistemin e energjisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje