Tre ishin çështjet kryesore të diskutuara në mbledhjen online të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u zhvillua mesditën e kësaj të mërkure nën drejtimin e Presidentit Ilir Meta.
Masat që janë marrë dhe po merren nga Qeveria për përballimin e situatës në vend dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pasojave të koronavirusit të ri, përballimin e situatës ekonomike nga efekti i sjellë si pasojë e pandemisë dhe masat e marra për rikthimin në atdhe të shtetasve shqiptarë që kjo situatë i ka gjetur jashtë territorit.
Në njoftimin që Presidenca bëri publik pak pas përfundimit të mbledhjes së këtij Këshilli thuhet se Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e kabinetit të tij informuan mbi masat e marra dhe për skenarët që do të duhet të përballohen në varësi sesi rrjedh situata.
Presidenca thotë gjithashtu se ka shprehur gatishmërinë dhe dhënë garancinë se Kuvendi do të përmbushë detyrimet e tij në këtë situatë të pazakontë, ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha ka dhënë pikëpamjet dhe propozimet e opozitës për ta përballuar më mirë pandeminë dhe pasojat e saj ekonomike dhe sociale.
“Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u zhvillua në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese, dhe pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve njerëzore, mjekësore e shkencore për të përballuar me efikasitet të plotë këtë situatë të vështirë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, ekonomisë kombëtare, paqes sociale dhe sigurisë”, thotë Presidenca.
Njoftimi mbyllet me vlerësimin e Presidentit se në këtë frymë uniteti, gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi, vendi do ta përballojë me sukses këtë situatë të vështirë.
Meta falenderon Ramën e Bashën: Dëshmuan unitet!
Presidenti Ilir Meta shfaqet i kënaqur nga rezultati dhe informacioni që përftoi nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, e thirrur prej tij për t’u njohur përmes një video-konference me masat që janë marrë dhe do të merren nga Qeveria për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi.
Pak pas publikimit të deklaratës zyrtare mbi çështjet e diskutuara në këtë takim online, Meta postoi në rrjetet sociale një reagim të shkurtër, ku falenderonte Ramën e Bashën për unitetin që dëshmuan.
“Mbledhja, që u zhvillua në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese, pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve njerëzore, mjekësore e shkencore për të përballuar me efikasitet të plotë këtë pandemi globale në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, ekonomisë kombëtare, paqes sociale dhe sigurisë. Për këtë arsye dua të falenderoj Kryetarin e Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, Kryeministrin z.Edi Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike z.Lulzim Basha për unitetin që dëshmuan”, shkruan Presidenti.
Meta është i bindur se me këtë frymë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje, vendi do të përballojë me sukses situatën.
“Çdo vendim, qëndrim dhe sjellje e secilit prej nesh duhet të udhëhiqet vetëm nga interesi më i mirë kombëtar, publik dhe qytetar”, përfundon mesazhin e tij kreu i shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje